Turqia e acaruar nga veprimet e Arabisë Saudite
Më 17 dhjetor, gazeta saudite Okaz botoi një artikull mbi Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan. Ishte një sulm i ashpër, veçanërisht personalisht ndaj kreut të shtetit turk.
Artikulli thotë se Presidenti Erdogan kishte mbështetur "pa mend" lëvizjen e Vëllazërisë Myslimane dhe kishte "provokuar" vendet e Gjirit Persik duke mbështetur Katarin në një mosmarrëveshje me Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Gjithashtu, Okaz vuri në pikëpyetje "mençurinë" e kreut turk dhe në thelb e akuzoi atë për ekspansionizëm duke kërkuar të "ringjallë" Perandorinë Osmane. Në një pikë, artikulli thotë se Turqia synon "eliminimin" e kombeve arabe të Gjirit Persik. Vetëm një ditë më parë, Ministri i Jashtëm i Emiratieve, Abdullah bin Zajed Al Nahian kishte postuar një shkrim në të cilin ai kishte tentuar një sulm personal ndaj udhëheqësit turk. Ministri i Jashtëm i EBA, postoi një shkrim që pretendonte se Fakhreddin Pasha, një guvernator osman i Medinës, në Arabinë Saudite të sotme, kishte terrorizuar banorët arabë gjatë sundimit të tij në qytet në fillim të shekullit të njëzetë. "Këta janë paraardhësit e Erdoganit dhe e kaluara e tyre me arabët," thuhet në postimin origjinal. Tensionet midis shteteve arabe, të udhëhequra nga Arabia Saudite dhe Turqisë nuk janë të paprecedentë. Riadi dhe Ankaraja kanë kohë që kanë ndryshuar në mënyrën se si e trajtojnë Vëllazërinë Myslimane, një organizatë politike islamike që daton në dekada. Turqia, një republikë, ka mbështetur historikisht lëvizjen VM, ndërsa Arabia Saudite monarkiste e ka përçmuar atë. Por në të kaluarën, Arabia Saudite dhe Turqia kishin ushtruar gjithnjë e më shumë vetëpërmbajtje, duke u kujdesur që të mos bëheshin shumë publike mosmarrëveshjet e tyre të ndërsjella. Kjo ndryshoi në qershor të këtij viti, kur Arabia Saudite udhëhoqi një grup shtetesh vasale të saj (duke përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe) në bojkotimin dhe bllokimin e Katarit. Logjika e supozuar ishte se, duke kërcënuar të bllokonin vendin e vogël arab, ata mund ta detyronin atë të nënshtrohet ndaj çështjeve të politikës së jashtme që lidhen me Iranin dhe, veçanërisht, me Vëllazërinë Myslimane. Katari nuk u nënshtrua ndaj shantazheve arabe dhe disa ditë pas mosmarrëveshjeve, Turqia e habiti botën arabe, jo vetëm me mbështetjen verbale të Dohas, por edhe vendosjen e trupave në një bazë turke të ndërtuar tashmë në Katar. Ky ishte një sinjal i qartë, edhe nëse simbolik: Turqia ishte e gatshme të mbrojë Katarin ushtarakisht, nëse përplasja me vendet e udhëhequra nga Arabia Saudite do të kthehej në një konflikt të armatosur. Vendet bojkotuese nuk mund të kishin qenë më shumë të pakënaqur se kaq. Turqia gjithashtu i zhgënjeu vendet e udhëhequra nga Arabia Saudite në Gjirin Persik kur u bashkua me një iniciativë paqeje për Sirinë me Iranin dhe Rusinë në janar 2017. Më vonë, kur Presidenti i SHBA Donald Trump deklaroi në Nëntor se Shtetet e Bashkuara do të njohin Jeruzalemin si "kryeqytet" të Izraelit, Presidenti Erdogan përdori presidencën e radhës së vendit të tij në një organizatë të rëndësishme islamike (OBI) për të mbledhur botën myslimane në një takim të nivelit të lartë në Stamboll dhe për të dënuar masivisht lëvizjen amerikane. Arabia Saudite, e cila është dukshëm e heshtur në përgjigjen e saj ndaj vendimit të Trump mbi Jeruzalemin, dërgoi një ministër në samitin e Stambollit, të cilin Presidenti Erdogan e priti në një takim ku ishte gjithashtu i pranishëm mbreti jordanez Abdullah II. Erdogan ka qenë i ashpër në reagimet e tij ndaj veprimeve të Riadit. Presidenti Erdogan më 10 nëntor u përpoq ta frenonte Arabinë Saudite duke folur kundër princit të kurorës Muhamed bin Salman, i cili më parë kishte pohuar se po punonte për të ringjallur "islamin e moderuar" në Arabinë Saudite. "Nuk ka 'Islam të moderuar' ose 'të pamoderuar'; Islami është një. Qëllimi i përdorimit të këtyre termave është të dobësojnë Islamin, "tha presidenti turk. "Ndoshta personi që shpreh këtë koncept mendon se Islami i përket atij. Jo, Islami nuk ju takon juve”, theksoi Erdogan. Gjithashtu, pasi Ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe sheikh Abdullah bin Zajed Al Nahian hodhi akuzat se forcat otomane të udhëhequra nga Fakhreddin Pasha i kanë keqtrajtuar arabët dhe i kanë vjedhur thesaret dhe dorëshkrimet nga Medina në vitin 1916, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan i bëri thirrje ministrit të jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe "të njohë vendin e tij!". Erdogan tha se Fakhreddin Pasha ishte duke mbrojtur qytetin e shenjtë dhe thesaret e tij gjatë asaj kohe, duke shtuar: "O ti njeri i shkretë që shpif, ku ishin paraardhësit tuaj në atë kohë?". Arabia Saudite pëlqen të mendojë se është disi e ngarkuar me detyrën që të marrë udhëheqjen kur është fjala për çështjet arabe ose sunite. Por, duke ndjekur një vijë etnike dhe sektare, dhe duke e zbatuar atë në mënyrë të pakujdesshme sikurse Salmani dhe djali i tij, regjimi i Riadit i ka larguar njërin pas tjetrit vendet e tjera myslimane, duke përfshirë edhe shtetet sunite si Turqia.