Kurdistani i Irakut kërkon pajtim me qeverinë e Bagdadit
Kurdistani i Irakut do t’i kthejë kontrollin e kalimeve kufitare në rajonin gjysmëautonom qeverisë qendrore të Bagdadit në një përpjekje për të hapur rrugën për bisedime me Bagdadin.
Lajmi u bë i ditur nga Ihsan al-Shamri, një këshilltar i kryeministrit të Irakut Heidar Abadi. Al-Shamri më tej tha se qeveria e Kurdistanit irakian ishte pajtuar që rajonin ta kthejë përsëri në kornizat e Kushtetutës irakiane dhe të zgjidhë problemet e shkaktuara nga referendumi për pavarësi që u organizua më 25 Nëntor 2017. Ai shtoi se qeveria e Kurdistanit irakian kishte vendosur gjithashtu t'i dorëzonte Bagdadit pikëkalimet kufitare me Iranin dhe Turqinë dhe ka rënë dakord për formimin e një komiteti të ngarkuar me rregullimin e kalimeve kufitare, punëve doganore dhe aeroporteve. Bagdadi kishte vendosur një sërë kushtesh që qeveria lokale e Kurdistanit irakian duhet të plotësonte përpara se të fillonin bisedimet mbi zgjidhjen e krizës së referendumit. Ndërkohë, mediat iraniane njoftuan të martën se Irani kishte rihapur dy kalime kufitare me Kurdistanin e Irakut, të cilat u mbyllën pas referendumit për pavarësi.