Samiti i Soçit dhe perspektiva e krizës siriane
Kongresi sirian i Dialogut Kombëtar filloi të hënën në Soçi të Rusisë dhe vazhdoi të martën. Bisedimet sponsorizohen nga Rusia dhe Irani, në anën e Damaskut, dhe Turqia, e cila është e lidhur me disa grupe të armatosura të opozitës.
Diskutimet e Soçit kishin për qëllim të kompletojnë rezultatet e shumë raundeve të negociatave midis Damaskut dhe opozitës, të cilat u mbajtën në kryeqytetin kazak, Astana, vitin e kaluar. Gjatë negociatave të Astanasë që janë zhvilluar me partneritetin e Rusisë, Iranit dhe Turqisë, janë krijuar zonat për reduktimin e tensioneve dhe është shtuar niveli i besimit reciprok mes palëve siriane. Dita e parë e kongresit për dialog kombëtar të Sirisë i është kushtuar takimeve dypalëshe dhe bisedimeve trepalëshe mes përfaqësuesve të Iranit, Rusisë dhe Turqisë si vende sponsorizuese të këtij kongresi. Sipas autoriteteve organizative të këtij kongresi, një prej programeve më të rëndësishme të këtyre bisedimeve, është formimi i një komisioni për hartimin e Kushtetutës së re të Sirisë. Soçi pret bisedimet midis qeverisë siriane dhe opozitës me shpresën e hapjes së rrugës për një zgjidhje paqësore të konfliktit që ka sfilitur Sirinë. Sipas një deklarate përfundimtare, pjesëmarrësit në konferencën e paqes siriane në Soçi kërkuan respektimin e integritetit territorial të vendit dhe theksuan se vetëm populli sirian duhet të vendosë formën e qeverisjes së tij. Deklarata shtoi se populli sirian ka të drejtën të zgjedhë sistemin e vet politik dhe të miratojë një rrugë "demokratike" për vendin përmes zgjedhjeve. Deklarata thekson se pjesëmarrësit kishin rënë dakord mbi "parimet themelore" që konsideroheshin të domosdoshme për të shpëtuar Sirinë pas gati shtatë vjet luftë. Kjo deklaratë kërkoi ruajtjen e ushtrisë siriane dhe rolin e saj në mbrojtjen e kufijve të vendit, përballjen me kërcënimet e jashtme dhe luftën kundër terrorizmit. Deklarata e Soçit theksoi se organet e sigurisë së Sirisë duhet të mbahen dhe duhet të veprojnë në përputhje me ligjin. Gjithashtu deklarata theksoi barazinë në të drejtat midis të gjithë sirianëve pavarësisht nga feja apo etnia e tyre. Ndërkohë, një zyrtar i lartë iranian që po merr pjesë në samitin e Soçit deklaroi se forcat këshilluese ushtarake iraniane që hynë në Siri me kërkesë të qeverisë siriane, do të largohen nga ky vend pas suksesit të luftës kundër terrorizmit. Husein Xhaberi Ansari, z/ministër i jashtëm i Iranit, e bëri këtë deklaratë të martën duke folur me gazetarët në margjinat e konferencës së paqes siriane në Soçi. "Forcat iraniane hynë në Siri me kërkesë të qeverisë siriane për të ndihmuar qeverinë dhe popullin sirian në luftën kundër terrorizmit në Siri", tha Xhaberi Ansari, i cili kryeson delegacionin iranian në Soçi. "Është e qartë se sapo të përfundojë puna e tyre, pasi të arrihet misioni i tyre në luftën kundër terrorizmit, ata do të tërhiqen nga territori sirian, në marrëveshje me Sirinë," shtoi ai.