Vriten me dhjetëra shtetas sirianë në sulmet turke
Agjencia zyrtare shtetërore e lajmeve në Siri njoftoi se të paktën 500 shtetas të Sirisë janë vrarë dhe plagosur nga sulmet e ushtrisë turke në zonat kurde në veri të Sirisë.
Vetëm në ditët e para të nisjes së operacionit Dega e Ullirit të ushtrisë turke kundër kurdëve në veri të Sirisë, 142 persona u vranë dhe 358 të tjerë janë plagosur. Të gjithë viktimat e sulmeve të Turqisë në qytetin Afrin në veriperëndim të provincës Alepo, janë civilë. Nga ana tjetër statistikat e publikuara për përfshirjen e vazhdueshme të ushtrisë turke në luftimet në zonat kurde të Sirisë veriore tregojnë për rritjen e viktimave të forcave turke. Shtabi i përgjithshëm i ushtrisë turke publikoi një deklaratë duke njoftuar se numri i militantëve kurdë të vrarë në Sirinë veriore u rrit gjatë 16 ditëve të fundit në 947. Ai njoftoi se pesë ushtarë turq dhe 24 militantë aleatë nga e ashtuquajtura Ushtria e Lirë Siriane (FSA) janë vrarë në ofensivën e ushtrisë turke në rajonin veriperëndimor të Sirisë, Afrin, në luftimet kundër Njësive të Mbrojtjes së Popullit kurd (YPG). Militantët kurdë pjesëtarë të "Forcave Demokratike Siriane" kanë deklaruar se të paktën 20 ushtarë turq u vranë prej tyre në sulmet kundër trupave turke dhe forcave të përkrahura nga Ankaraja. Rezistenca kurde është ashpërsuar dhe të shtunën forcat ushtarake turke pësuan humbjet më të mëdha që nga fillimi i ofensivës në Sirinë veriore me 7 ushtarë të vrarë brenda ditës.