3.3 milion irakianë të zhvendosur u kthyen në shtëpitë e tyre
Organizata Ndërkombëtare për Migrimin bëri të ditur se rreth 3.3 milionë persona të zhvendosur brenda Irakut u kthyen në shtëpitë e tyre të origjinës deri në fund të janarit 2018, rreth dy muaj pasi qeveria irakiane shpalli fundin e operacioneve ushtarake kundër grupit terrorist ISIS.
Në raportin e saj mujor për personat e zhvendosur deri më 31 janar 2018, Organizata Ndërkombëtare për Migrimin konfirmoi gjithashtu se rreth 2.5 milion irakianë vazhdojnë të jetojnë të zhvendosur në kampe ose zona larg shtëpive të tyre. "Pasi Iraku po hyn në fazën e rimëkëmbjes pas tre vjet konflikti, duhet të kujtojmë se rindërtimi i vërtetë i vendit nuk do të bazohet vetëm në rindërtimin e infrastrukturës", tha Gerard Waite, shefi i misionit të Organizatës Ndërkombëtare për Migrimin në Irak. "Nevojitet gjithashtu sigurimi i mbështetjes së specializuar për të gjithë ata që i kanë mbijetuar konfliktit, së bashku me rindërtimin e infrastrukturës", shtoi ai.