Shtohen viktimat civile në sulmet turke në Afrin
Të paktën dy civilë janë vrarë dhe katër të tjerë janë plagosur në bombardimet turke në rajonin veriperëndimor të Afrinit në Siri, ku Ankaraja po kryen një operacion kundër militantëve kurdë të mbështetur nga SHBA.
Të shtunën, një fëmijë u vra dhe katër civilë të tjerë u plagosën për shkak të bombardimeve të vazhdueshme nga forcat turke në fshatin Kantara në Afrin, njoftoi agjencia zyrtare e lajmeve e Sirisë, SANA. Sipas këtij burimi, forcat turke sulmuan me artileri të rëndë dhe raketa fshatrat në zonat Shirani, Xhindares dhe M'abatli në Afrin, duke lënë një civil të vdekur dhe duke shkaktuar dëme të shumta materiale. Të shtunën, sirianët në Afrin organizuan një demonstratë për të protestuar kundër operacionit ushtarak të Turqisë në rajonin kufitar verior. Protestuesit hodhën slogane kundër Ankarasë dhe mbajtën pankarta me imazhet e të vrarëve në sulmet turke. Në një deklaratë të lëshuar të premten, Human Rights Watch kritikoi ofensivën ndërkufitare të qeverisë së Ankarasë në Afrin, duke thënë se ushtria turke nuk kishte marrë masat e nevojshme për të shmangur viktimat civile. Sipas HRW, rreth 26 civilë, duke përfshirë 17 fëmijë, humbën jetën gjatë tre sulmeve të Turqisë kundër Afrinit në fund të janarit.