Kurdët sirianë akuzojnë Turqinë për spastrim etnik në Afrin
Kurdët sirianë në rajonin Afrin kanë akuzuar Turqinë për kryerjen e një fushate spastrimi etnik ndaj banorëve të enklavës, ndërsa forcat turke po intensifikojnë agresionin e tyre ushtarak ndaj rajonit.
Sipas një raporti të së shtunës nga transmetuesi britanik Sky News, funeralet e viktimave të luftës tani janë një ngjarje e përditshme në Afrin, ku banorët kanë varrosur trupat e civilëve, duke përfshirë fëmijët, në një tokë bujqësore pak të populluar në periferi të qytetit Afrin. Morgu i spitalit kryesor të Afrinit është mbushur me trupa dhe shumë pacientë po trajtohen për plagë të rënda të shkaktuara nga granatimet dhe sulmet ajrore turke, thotë raporti. Afro 200 civilë janë vrarë në Afrin nga granatat dhe sulmet ajrore turke gjatë gjashtë javëve të fundit. Sipas të ashtuquajturit Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, mbi një milion civilë përballen me një "fat të panjohur", ndërsa Turqia po e rrethon rajonin. Ushtria turke dhe aleatët e saj rebelë kanë rrethuar rajonin Afrin të Sirisë, ka deklaruar presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, transmeton Reuters. Erdogan ka deklaruar se pas kontrollimit të rajoneve Afrin dhe Manbixh, operacioni do të zhvendoset në lindje, për të larguar luftëtarët kurdë nga kufiri Siri-Turqi. Gjatë ditës së sotme, një zëdhënës i YPG-së ka kundërshtuar se rajoni Afrin është rrethuar dhe ka thënë se disa rajone për të cilat Turqia pretendon se i ka fituar, në fakt janë aktualisht zona të luftimeve.