Asad paralajmëron vendet perëndimore
Presidenti sirian Bashar Asad ka paralajmëruar shtetet perëndimore kundër çdo veprimi ushtarak ndaj Sirisë pak pasi forcat qeveritare arritën të çlirojnë Dumën, qytetin e fundit të Ghoutas Lindore që ndodhej nën kontrollin e militantëve.
Presidenti Asad ishte duke folur në një takim në Damask me Ali Akbar Velajati, këshilltar i lartë i Liderit Suprem të Revolucionit Islamik të Iranit. "Me çdo fitore të arritur në fushën e betejës nga forcat siriane, ngrihen zërat e disa shteteve perëndimore dhe intensifikohen veprimet anti-siriane në një përpjekje për ta ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve", deklaroi presidenti Asad. "Këto zëra dhe çdo veprim i mundshëm do të kontribuojnë vetëm në rritjen e paqëndrueshmërisë në rajon, duke kërcënuar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare," shtoi lideri sirian. Velajati, nga ana e tij, vuri në dukje kërcënimet nga SHBA dhe aleatët e saj për të sulmuar Sirinë nën pretekstin e "përgjigjes" ndaj një sulmi të dyshuar kimik, duke thënë se kërcënimet e tilla "bazohen në gënjeshtra që rrjedhin nga dëshpërimi i perëndimorëve dhe sionistëve pas çlirimit të Ghoutas Lindore" njofton agjencia siriane e lajmeve SANA. Irani prej kohësh ofron ndihmë ushtarake për ushtrinë siriane në operacionet e saj kundër terrorizmit.