Ligjvënësit sudanezë: Largohuni nga lufta në Jemen!
Një grup ligjvënësish sudanezë i ka kërkuar presidentit Omar al-Bashir të tërheqë trupat sudaneze nga një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite që po lufton kundër Jemenit.
Aleanca për Ndryshim, e cila përfshin anëtarë të pavarur të parlamentit sudanez, dënoi si "jokushtetuese" pjesëmarrjen e Sudanit në koalicionin e udhëhequr nga Arabia Saudite kundër Jemenit, njoftoi sot radio sudaneze Dabanga. "Sudani nuk duhet të ndërhyjë në punët e vendeve të tjera," tha Abulgasim Burtom, kryetari i Aleancës për Ndryshim. "Kushtetuta e përkohshme e Sudanit është e qartë: Presidenti i Republikës nuk ka të drejtë të vendosë për të dërguar ushtrinë për të luftuar jashtë vendit", shtoi ai. Ai gjithashtu i bëri thirrje qeverisë të largojë trupat sudaneze nga Jemeni dhe "të kompensojë në mënyrë të përshtatshme familjet e ushtarëve sudanezë që vdiqën dhe u plagosën në Jemen". Gazeta Akhbar el-Youm e Sudanit citoi burime të informuara të thoshte se ka një prirje të fortë midis udhëheqësve të shtetit për të tërhequr forcat sudaneze nga Jemeni. Raporti gjithashtu zbuloi se trupat sudaneze që luftonin në Jemen nuk kanë marrë pagat e tyre nga Rijadi.