Avionët amerikanë sulmojnë bazat siriane
Avionët luftarakë të koalicionit të udhëhequr nga SHBA kanë sulmuar disa pozicione ushtarake siriane në krahinën lindore të Deir al-Zur.
"Disa nga pozicionet tona ushtarake midis Albu Kamalit dhe Hmeimeh u goditën këtë mëngjes në një agresion nga avionët luftarakë të koalicionit amerikan", tha agjencia zyrtare siriane e lajmeve, SANA, duke cituar një burim ushtarak të enjten herët. Burimi shtoi se nuk u shkaktuan viktima nga sulmet që rezultuan vetëm me "dëme materiale". Më parë gjatë të mërkurës, forcat e ushtrisë siriane dhe luftëtarët pro-qeveritarë i zmbrapsën sulmet e terroristëve të ISIS në një numër të bazave ushtarake në provincën Deir al-Zur pranë kufirit me Irakun. Në këto luftime një numër i paidentifikuar terroristësh u vranë dhe u plagosën dhe municionet e tyre u shkatërruan.