Asad: Trupat amerikane, franceze, turke dhe izraelite në Siri janë okupues
Presidenti sirian Bashar Asad deklaroi se trupat amerikane, franceze, turke dhe izraelite të pranishme në vendin e tij janë forca okupuese.
Asad i bëri komentet të mërkurën në mbrëmje gjatë një interviste me rrjetin e lajmeve Al-Alam, ku theksoi se qasja e Sirisë është të mbështesë "çdo akt rezistence, qoftë kundër terroristëve apo kundër forcave okupuese pavarësisht nga nacionaliteti i tyre". Duke iu referuar pranisë së luftëtarëve të lëvizjes libaneze të rezistencës Hezbollah në Siri, Asad tha se "beteja është e gjatë dhe nevoja për këto forca ushtarake do të ekzistojë për një kohë të gjatë". Ai gjithashtu theksoi se nuk ka baza ushtarake iraniane në Siri, por Damasku nuk do të hezitojë t'i lejojë ato nëse do të ketë nevojë. Në një intervistë të mëparshme me gazetën britanike Daily Mail, Asad akuzoi Perëndimin se po nxit krizën në vendin e tij në një përpjekje për të rrëzuar qeverinë e tij. "Ne po luftojmë terroristët dhe terroristët mbështeten nga qeveria britanike, qeveria franceze, amerikanët dhe kukullat e tyre në Evropë apo në rajonin tonë," tha Presidenti sirian.