Sulmi terrorist në Afganistan, 48 studentë të vdekur
Të paktën 48 persona janë vrarë dhe 67 të tjerë janë plagosur, pasi një sulmues vetëvrasës shpërtheu eksplozivët e tij, pranë një qendre edukative në kryeqytetin afgan, Kabul.
Më herët, autoritetet thanë se në këtë sulm janë vrarë 25 persona. Sulmi ndodhi në kohën kur studentët po përgatiteshin që të kryenin testet për pranim në universitet. Shumica e viktimave janë djem dhe vajza të rinj. “Të plagosurit janë transferuar në spitalet e afërta, ku kanë pranuar ndihmë mjekësore”, tha për mediat, Wahim Majroh, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë. “Mund të ketë ndryshim në numrin e viktimave”, shtoi tutje ai. Policia tha se sulmuesi eci drejt ndërtesës edukative, që gjendet në një lagje të banuar nga muslimanët shi'itë dhe shpërtheu rripin me eksploziv. Talibanët kanë mohuar se e kanë kryer këtë sulm dhe asnjë grup deri më tani nuk ka marrë përgjegjësinë për të. Megjithatë, një anëtar i Këshillit fetar të shi'itëve, Xhevdet Ghavari ka fajësuar grupin terrorist ISIS për këtë sulm. ISIS në të kaluarën ka kryer sulme të ngjashme që kanë pasur për cak xhamitë shi'ite, shkollat dhe qendrat kulturore.