Hejdar Ebadi urdhëron përballjen me autorët e trazirave në Basra
(last modified Sat, 08 Sep 2018 11:21:09 GMT )
Shtator 08, 2018 13:21 Europe/Tirane
  • Hejdar Ebadi urdhëron përballjen me autorët e trazirave në Basra

Kryeministri irakian Hejdar Ebadi ka kërkuar nga forcat e sigurisë së Irakut që të përballen në mënyrë të prerë me sulmet e autorëve të trazirave që po kryhen njëkohësisht me protestat e qytetarëve të Basrës.

Kanali televiziv Al Alam njoftoi se në mbledhjen e komandës së operacioneve të përbashkëta të kryesuar nga Hejdar Ebadi, pas shqyrtimit të rrethanave aktuale të sigurisë në Basra, kryeministri irakian me anë të një deklarate ka theksuar: "Autoritetet irakiane duhet të përballen në mënyrë të prerë me autorët e trazirave dhe faktorët destruktivë me qëllim që të mbrohen institucionet shtetërore dhe private".

Në këtë deklaratë është kërkuar nga qytetarët e Basrës që të vetëpërmbahen nga çfarëdo lloj grumbullimi dhe tubimi me lëvizjet e ndryshme dhe të respektojnë vendimet e marra për ta ruajtur sigurinë dhe rendin publik. Kryeministri irakian gjithashtu ka lëshuar urdhrin për të hetuar autoritetet përgjegjëse për garantimin e sigurisë së konsullatës së Republikës Islamike të Iranit në Basra.

Ndërkohë pas shtimit të protestave në Basra dhe përkeqësimit të situatës në këtë provincë, Parlamenti i Irakut në përgjigje të Mukteda Sadr, liderit të lëvizjes Sadr dhe kryetarit të koalicionit "Sairun", sot mban mbledhje urgjente për të shqyrtuar zhvillimet në Basra. Të premten si pasojë e shtimit të protestave në Basra, janë sulmuar disa seli dhe zyra të partive politike nga autorët e trazirave dhe të paktën dy persona janë vrarë dhe 45 të tjerë janë plagosur.

Tags