Erdoğan takon sekretarin amerikan të shtetit Pompeo
Takimi, i cili zgjati 35 minuta, u zhvillua në aeroportin Esenboga të Ankarasë, pak para se presidenti Erdoğan të niset për vizitë zyrtare në Moldavi
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, takoi sekretarin amerikan të shtetit, Mike Pompeo, raporton Anadolu Agency (AA).
Takimi, i cili zgjati 35 minuta, u zhvillua në Aeroportin Esenboga të Ankarasë, pak para se presidenti Erdoğan të niset për vizitë zyrtare në Moldavi.
Pompeo pas këtij takimi, është takuar dhe ka biseduar edhe me homologun e tij turk.
Ministri i jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, u takua me sekretarin amerikan të shtetit, Mike Pompeo, i cili ndodhet në Turqi për të vlerësuar rastin e gazetarit Jamal Khashoggi i cili është zhdukur pasi që hyri në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll, raporton Anadolu Agency (AA).
Vizita e sekretarit amerikan të shtetit vjen pasi ai dje vizitoi Arabinë Saudite në lidhje me zhdukjen e gazetarit të "Washington Post", Khashoggi. Ai u takua me mbretin saudit Selman bin Abdulaziz, princin e kurorës Muhammed bin Selman dhe ministrin e Jashtëm Adel al-Jubeir.
Pompeo kishte përsëritur shqetësimet e SHBA-ve në lidhje me rastin dhe vuri në dukje rëndësinë e procesit të hetimit.
"Do të vazhdojmë kontaktin e afërm me zyrtarët turq dhe sauditë, deri sa të kryhet hetimi dhe të njoftojnë rreth gjetjeve", tha Pompeo, duke treguar se presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar nga ai që të vizitojë Turqinë.
Kujtojmë se gazetari dhe kolumnisti i “The Washington Post”, Jamal Khashoggi, i cili ka dhënë kontribute edhe për “Al Watan”, një platformë e rëndësishme për reformistët sauditë, u zhduk më 2 tetor pasi hyri në kompleksin e Konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll.