Pse ndërhyrja ushtarake turke në lindje të Eufratit është e pashmangshme?
Operacioni i Turqisë në territorin lindor të lumit Eufrat që mbahet nga milicia kurde e mbështetur nga SHBA është e pashmangshme, tha për mediat turke Naim Baburoglu, një gjeneral i pensionuar turk, duke shprehur shpresën se Moska dhe Teherani do të mbështesin planin e Ankarasë për të çliruar zonën e kontrolluar nga SHBA.
"SHBA vazhdon të japë ndihmë ushtarake ndaj milicisë kurde të vendosur në lindje të lumit Eufrat në Siri, duke e detyruar Ankaranë të ndërmarrë hapa vendimtarë", tha Naim Baburoglu, një strateg ushtarak turk dhe akademik në Universitetin Aydin të Stambollit. "Eliminimi i forcave kurde në këtë territor [në lindje të Eufratit] nuk është në interes të Shteteve të Bashkuara," tha gjenerali në pension duke shtuar: "Amerikanët po forcojnë pozicionet e tyre atje, po vazhdojnë ndërtimin e bazave të reja dhe fushave ajrore dhe vendosjen e sistemeve të radarëve. Në këto rrethana Turqia më në fund do të detyrohet të marrë hapa vendimtarë dhe kryerja e një operacioni të Forcave të Armatosura Turke në rajonin lindor të Eufratit është i pashmangshëm ". Më 30 tetor, presidenti turk njoftoi një fushatë të madhe ushtarake kundër njësive mbrojtëse të popullit kurd (YPG) që shihen nga Ankaraja së bashku me Partinë e Bashkimit Demokratik (PYD) si bashkëpunëtorë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) e njohur si organizatë terroriste në Turqi. Kjo deklaratë erdhi menjëherë pas samitit katërpalësh (Gjermania, Franca, Rusia Turqia) në Stamboll, gjatë së cilës pala turke vuri theksin në rëndësinë strategjike të territoreve të vendosura në lindje të Eufratit. Gjen. Baburoglu theksoi se Uashingtoni me sa duket e ka bërë një vesh të shurdhër ndaj shqetësimeve të Ankarasë për situatën në rajonin lindor të Eufratit, që paraqet një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë ndaj Turqisë. Duke komentuar mbi datën e mundshme të fillimit të operacionit, gjenerali në pension iu referua deklaratës së mëparshme të Ministrit të Mbrojtjes të Turqisë Hulusi Akar se Ankaraja do të përqendrohej në zonën në lindje të lumit Eufrat pas zgjidhjes së problemeve në Manbixh. Sipas Baburoglu, nëse Ankaraja arrin një marrëveshje me Uashingtonin për eleminimin e YPG në rajon ose të paktën t'i transferojë ata në jug të Rakës, atëherë do të jetë e mundur të zbatohet një zgjidhje e stilit Manbixh edhe në rajonet Kobani, Tell Abyad dhe Kamishli . Ai theksoi se nuk duhet të harrohet se marrëveshja në Manbixh nuk është implementuar deri më tani: "Deri në 7,000 luftëtarë kurdë janë ende të vendosur në zonë, ata ende nuk i kanë dorëzuar armët që u janë furnizuar atyre nga SHBA," tha strategu ushtarak turk duke shtuar: "Kështu, është e qartë se Shtetet e Bashkuara nuk i kanë mbajtur premtimet e tyre lidhur me Manbixhin". Ai përsëriti se Turqia i kushton rëndësi të madhe rajoneve kurde në lindje të Eufratit. "Ky rajon përbën rreth 30 për qind të territorit total të Sirisë dhe SHBA po përpiqet të vendosë kontrollin e saj atje," theksoi Baburoglu. "Unë besoj se Rusia dhe Irani janë të shqetësuar rreth strategjisë së Uashingtonit atje dhe do t'i ofrojnë Turqisë mbështetje diplomatike për operacionin", tha gjenerali i pensionuar turk.