OKB ka dështuar në Jemen
Lëvizja popullore e Jemenit Ansarullah kritikoi OKB-në për qasjen e saj të dyfishtë ndaj krimeve saudite, duke thënë se OKB po i kushton më shumë rëndësi rastit të vrasjes së Khashoggi, sesa gjakderdhjeve dhe mizorive më të gjera të regjimit të Rijadit gjatë tre vjet e gjysëm luftë kundër një kombi të tërë në Jemen.
Kryetari i Komitetit Suprem Revolucionar të Jemenit, Muhamed Ali al-Huthi, tha se çdo viktimë e sulmeve "të paligjshme" të Arabisë Saudite "meriton të njëjtën vëmendje si Khashoggi", por "për fat të keq asnjë nga krimet e luftës në Jemen nuk ka provokuar të njëjtin zemërim ndërkombëtar". Ndërkohë, Fondi Ndërkombëtar i Kombeve të Bashkuara Për Fëmijët (UNICEF) ka paralajmëruar se më shumë se shtatë milionë fëmijë po përballen me një kërcënim serioz të urisë në Jemen, pasi regjimi i Rijadit po vazhdon fushatën e tij bombarduese kundër fqinjit jugor. "Sot 1.8 milionë fëmijë nën moshën pesë vjeç janë duke u përballur me kequshqyerje akute dhe 400.000 janë të prekur nga kequshqyerja e rëndë akute", tha të mërkurën, Geert Cappelaere, drejtor rajonal i UNICEF në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Cappelaere vuri në dukje se "më shumë se gjysma" e 14 milionë njerëzve në rrezik serioz prej urisë në Jemen janë fëmijë.