Vdes simboli i vërtetë i krizës humanitare në Jemen
Një foto shumë trazuese, e një vajze të vogël që vuante nga uria, është bërë fytyra njerëzore e krizës së gjerë humanitare në Jemen.
Vetëm pak ditë pas publikimit të fotos, vajza e vogël ka vdekur. Fotoja është realizuar në kuadër të një raporti për “New York Times” nga gazetari Declan Walsh dhe fotografi Tyler Hicks, që po hetonin për pasojat e më shumë se 3 viteve luftë, në jetën e njerëzve në Jemen. Agresioni barbar i koalicionit të udhëhequr nga sauditët, e që armatoset nga Perëndimi, vazhdon pavarësisht apeleve në rritje për një armëpushim. Mjekët në spitalin “Aslam”, 144 km në veriperëndim të kryeqytetit jemenas, Sanaa, i treguan ekipit të “New York Times” shtatëvjeçaren Amal Hussain. “Ajo ishte një vogëlushe që rrinte e shtrirë, pa lëvizur. Nëna e saj i qëndronte pranë. Ajo na tregoi se ishin refugjatë nga një pjesë tjetër e vendit. Shtëpia e tyre ishte bombarduar”, tregon Walsh. Familja nuk mund të siguronte më ushqim. Amal ishte sëmurë dhe ishte shtruar disa herë në spital për kequshqyerje. Imazhet e saj, e shtrirë në një krevat spitali, tronditën botën. Por, vetëm pak ditë pas publikimit, Walsh mori një lajm nga nëna e saj: Amal nuk jetonte më!Rreth 1.8 milionë fëmijë në Jemen janë të kequshqyer dhe 8 milionë njerëz varen nga organizatat e ndihmave, ndaj ekziston frika se numri mund të rritet edhe më shumë.