Australia kritikohet për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit
Kryeministri australian, Scott Morrison konfirmoi vendimin e qeverisë së tij për të njohur Jerusalemin Perëndimor si kryeqytet të Izraelit.
Gjithsesi, ai njoftoi gjithashtu se Ambasada e Australisë nuk do të zhvendoset nga Tel Avivi, siç bënë Shtetet e Bashkuara, derisa një marrëveshje paqeje të jetë arritur. Por udhëheqja palestineze ka denoncuar vendimin e fundit të qeverisë australiane duke e përshkruar këtë veprim si "të papërgjegjshëm" dhe një hap që ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Hanan Ashravi, një anëtare e Komitetit Ekzekutiv të Organizatës për Çlirimin e Palestinës, i bëri thirrje Kryeministrit australian Scott Morrison të ndryshojë vendimin e tij për Jerusalemin e pushtuar dhe për të siguruar respektimin e fortë të vendit të tij ndaj detyrimeve të tij sipas ligjit ndërkombëtar. Ashravi vuri në dukje se një masë e tillë "do të ishte e njëanshme, e paligjshme dhe do të rrezikonte shanset për paqe". Sekretari i përgjithshëm i Organizatës për Çlirimin e Palestinës, Saeb Erekat gjithashtu foli kundër kësaj lëvizjeje të qeverisë së Kanberras. "Prej fillimit, ne kemi perceptuar vendimin e qeverisë australiane për të njohur Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit , por ky veprim i Australisë dëshmon për politika të papërgjegjshme që bien në kundërshtim me paqen dhe sigurinë botërore", tha ai në një deklaratë. "I gjithë Jerusalemi mbetet një çështje e statusit përfundimtar për negocim, ndërsa Jerusalemi lindor, sipas ligjit ndërkombëtar, është një pjesë integrale e territorit të pushtuar palestinez", shtoi Sekretari i përgjithshëm i Organizatës për Çlirimin e Palestinës.