Amerika dhe Turqia në prag të përballjes në Siri
Tensionet mes Ankarasë dhe Uashingtonit në veri të Sirisë, kanë shkuar deri në atë pikë saqë mund të lind një konflikt direkt mes forcave të të dy palëve. Kohët e fundit është përhapur lajmi për një marrëveshje të fshehtë për uljen e tensioneve nëpërmjet përdorimit të grupeve te reja nga forcat kurde.
Ditë më parë presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan deklaroi se brenda disa ditësh Ankaraja do të nisë një operacion të ri kundër kurdëve të mbështetur nga SHBA, në Sirinë veriore. "Ne do të fillojmë në ditët e ardhshme një operacion për të çliruar rajonin në lindje të Eufratit nga organizata terroriste separatiste kurdë YPG ", tha Erdogan gjatë një fjalimi në Ankara. "Objektivi nuk janë ushtarët amerikanë, por anëtarët e organizatave terroriste aktive në rajon", tha Erdogan audiencës në një samit të industrisë së mbrojtjes. Deklaratat e Erdogan erdhën një ditë pasi ushtria amerikane tha se kishte ngritur "pika të vëzhgimit" në Sirinë veriore me qëllimin e parandalimit të përplasjeve midis forcave turke dhe militantëve kurdë të mbështetur nga SHBA, pavarësisht kundërshtimit të fortë të Ankarasë ndaj këtij plani. Duke reaguar ndaj këtij veprimi, Erdogan tha se qëllimi i SHBA nuk ishte të mbrohet Turqia nga terroristët, por "terroristët ishin duke u mbrojtur" nga veprimet e mundshme të Ankarasë. Ndërsa shefi i diplomacisë turke Mevlut Cavusoglu deklaroi se qeveria e Ankarasë do të konsideronte punën me presidentin sirian Bashar Asad nëse ai fiton zgjedhjet demokratike dhe të besueshme. Ministri i jashtëm turk e bëri këtë deklaratë gjatë adresimit në Forumin Doha-2018. I pyetur nëse Turqia do të konsideronte bashkëpunimin me Asadin, Cavusoglu tha se fillimisht duhet të ketë zgjedhje në Siri dhe "nëse ato janë demokratike dhe të besueshme, atëherë të gjithë duhet ta konsiderojnë bashkëpunimin me Assadin". Ai më tej vuri në dukje se kushtetuta e re e Sirisë duhet të hartohet nga populli i këtij vendi. Më tej, në fjalën e tij, Cavusoglu tha se ai besonte se Presidenti i SHBA Donald Trump po konsideronte një politikë të largimit të SHBA nga Siria. Ndërkohë, në një intervistë me gazetën greke Kathimerini, presidenti sirian Bashar Asad kritikoi vendet perëndimore, duke përfshirë Francën, Britaninë dhe SHBA-të së bashku me Arabinë Saudite, Katarin dhe Turqinë për mbështetjen e grupeve të ndryshme terroriste, duke thënë se ata "duhet të mbahen përgjegjës" për gjakderdhjen në Siri. Presidenti sirian më tej denoncoi si "agresion" operacionin turk në rajonin Afrin të Sirisë, duke thënë: "Ky është një pushtim. Çdo ushtar turk në tokën siriane përfaqëson pushtim". Ai shtoi se homologu i tij turk, Rexhep Tajip Erdogan, "ishte caktuar nga Perëndimi, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara, për të ndërhyrë, dhe për ta bërë situatën më të komplikuar, sepse pa këtë ndërhyrje, kriza në Siri do të ishte zgjidhur shumë më shpejt. "