Iraku merr më shumë tanke T-90 nga Rusia
Një komandant ushtarak irakian i rangut të lartë tha se ushtria irakiane ka marrë një dërgesë të re tankesh luftarake të avancuara T-90 nga Rusia nën një marrëveshje të madhe të arritur ndërmjet Moskës dhe Bagdadit në korrik 2017.
Gjeneralmajor Valid Khalifa, komandanti i Divizionit të 9-të të blinduar të Armatës irakiane, i tha të martën Agjencisë Kombëtare të Irakut (NINA) se grupi i katërt i tankeve ruse T-90 kishte mbërritur në vend dhe i është dorëzuar Ministrisë së Mbrojtjes së Irakut. Ai, megjithatë, nuk dha ndonjë informacion në lidhje me numrin e saktë të tankeve. T-90 është një tank rus i gjeneratës së tretë i ndërtuar mbi dizajnin e tankut sovjetik T-72. T-90 është ndër tanket më të shitura në botë dhe i njohur për fuqinë e tij të zjarrit, mbrojtjen e shtuar dhe lëvizshmërinë. Ushtria irakiane ka në plan të përforcojë flotën e tankeve amerikane Abrams me tanket ruse T-90. Një numër i madh i tankeve amerikanë M1A1 Abrams janë dëmtuar në luftën kundër terroristëve të ISIS.