Kolera vazhdon të marrë jetë njerëzish në Jemen
Zyra e shëndetësisë së përgjithshme në provincën Haxhe në veri të Jemenit ka deklaruar se numri i të infektuarve me sëmundjen Kolera në këtë provincë ka shkuar në mbi 15 mijë persona dhe në ditët e fundit kanë vdekur 25 persona nga kjo sëmundje.
Agjencia e lajmeve IRNA njoftoi se Ibrahim Al-Ashul, drejtori i zyrës për shëndetësinë publike në provincën Haxhe të Jemenit, ka thënë: “Sektori i shëndetësisë në provincën Haxhe nuk posedon qendra shëndetësore të mjaftueshme për kurimin e personave të infektuar me sëmundjen e Kolerës dhe kjo po përballet me mungesën e madhe të medikamenteve sidomos të medikamenteve të veçanta për kurimin e sëmundjes së Kolerës”.
Ibrahim Al-Ashul ka kërkuar hyrjen në veprim të institucioneve speciale për t’u përballur me përhapjen e sëmundjes së Kolerës në përmasa të gjera në provincën Haxhe dhe për të siguruar kushtet dhe pajisjet e nevojshme për kurimin e personave të infektuar dhe për të shtuar potencialet qendrave shëndetësore për pranimin e pacientëve dhe kurimin e tyre.
Lise Grande, koordinatore për çështje humanitare të OKB në Jemen, së fundi ka deklaruar: “Jemeni po përballet me krizën më të keqe dhe më të madhe njerëzore në botë, për arsye se gati 80% e popullsisë 24.1 milionë banorësh të Jemenit ka nevojë për ndihma urgjente humanitare”.
Grande shtoi se aktualisht sëmundja e Kolerës është përhapur në të gjithë Jemenit dhe gjatë tre muajve të kaluar kjo sëmundje ka marrë jetën e 200 personave dhe përveç kësaj mbi 110 mijë persona janë të infektuar me këtë sëmundje.