Gjenerali izraelit: Rusia do na luftojë
https://parstoday.ir/sq/news/west_asia-i89220-gjenerali_izraelit_rusia_do_na_luftojë
Ish-komandanti i forcave ajrore të regjimit izraelit tha se një luftë e re me Hezbollahun do të përfshinte gjithashtu Sirinë dhe Rusinë.
(last modified 2026-06-18T18:22:28+00:00 )
Korrik 02, 2019 16:57 Europe/Tirane
  • Gjenerali izraelit: Rusia do na luftojë

Ish-komandanti i forcave ajrore të regjimit izraelit tha se një luftë e re me Hezbollahun do të përfshinte gjithashtu Sirinë dhe Rusinë.

"Në luftën e ardhshme kundër Hezbollahut, Siria do të jetë partneri i tij, çka do të shtyjë Ariun rus të ndërhyjë në luftë për ta penguar atë të vazhdojë gjatë", tha ish-komandanti i forcave ajrore të Izraelit, gjenerali Amir Eshel, në një fjalim të mbajtur në Konferencën e Herzliya. Ai shtoi se Moska do të ndërhyjë në këtë luftë, sepse interesat e Rusisë në Siri mund të preken nga pjesëmarrja e Damaskut në këtë luftë. Gjenerali Giora Eiland, ish-president i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Izraelit, tha se në rast të një lufte të re, do të ishte në interesin e Tel Avivit të thoshte se lufta e tij është me Libanin dhe jo me Hezbollahun. Kjo do të bashkonte të gjitha palët ndërkombëtare dhe lokale, duke përfshirë Arabinë Saudite dhe shtetet e Gjirit Persik, për t'i dhënë fund luftës në kohën e duhur dhe me humbje minimale, shtoi ai. Ekspertët e sigurisë dhe zyrtarët ushtarakë izraelitë vlerësojnë se Hezbollah aktualisht ka rreth 130,000 raketa me një rreze prej 10 deri në 500 kilometra. Të gjitha raportet e publikuara nga qendrat ushtarake dhe të sigurisë të Izraelit për një konflikt të mundshëm në të ardhmen midis ushtrisë izraelite dhe rezistencës libaneze dhe në nivelin e përgatitjes së forcave tokësore, ajrore dhe detare të regjimit izraelit çojnë në një përfundim të rëndësishëm dhe të vetëm: pasi që çështja e epërsisë ajrore të Izraelit është në pikëpyetje, kjo luftë do të ishte më e keqe për Tel Avivin sesa konfliktet e së kaluarës. Duke cituar një oficer të lartë të aviacionit të ushtrisë izraelite, i cili ka ekzaminuar zhvillimin e aftësive ushtarake të Hezbollahut mes viteve 2006 dhe 2016, kanali televiziv Al-Mayadeen tha se me blerjen e raketave të sofistikuara anti-ajrore nga lëvizja e rezistencës libaneze Hezbollah, në një konflikt të mundshëm të ardhshëm, aeroplanët izraelitë nuk mundën të ktheheshin në mënyrë të sigurtë në bazat e tyre.