Sulmohet baza ruse në Siri, raportohen viktima
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi se militantët e sponsorizuar nga jashtë kanë bombarduar periferitë e bazës strategjike ajrore ruse Hmeimim në provincën perëndimore të Sirisë, Latakia, duke plagosur një numër njerëzish.
“Më 5 gusht rreth orës 02:30 sipas kohës së Moskës (1130 GMT), pajisjet e kontrollit të hapësirës ajrore në bazën ajrore Hmeimim zbuluan lëshimin e tre raketave që vinin nga veriu në drejtim të bazës ajrore ruse", tha ministria në një deklaratë të publikuar të hënën. Deklarata vuri në dukje se raketat nuk e goditën bazën ajrore dhe se objekti ushtarak po vazhdon operimet e tij normalisht. “Në fakt, raketat shpërthyen në një fshat të afërt. Sipas organeve të sigurisë së Sirisë, raketat e terroristëve ranë mbi fshatin Ruaisaid Afif, duke rezultuar me lëndimin e katër banorëve të zonës ", theksoi Ministria e Mbrojtjes e Rusisë. Më parë, agjensia zyrtare e lajmeve e Sirisë SANA raportoi se terroristët kishin sulmuar bazën ajrore ruse , duke thënë se raketat të cilat ranë në afërsi të bazës, shkaktuan "humbje të konsiderueshme në jetë dhe dëme materiale në zonat përreth kësaj baze."