Ertogan: Pavarësisht qëndrimeve të Amerikës, nuk do të tërhiqemi nga Siria
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se nëse SHBA nuk i mban premtimet e veta pas afatit prej 120 orësh për largimin e ushtarëve të YPG/PKK-së nga zona e sigurt në Siri, Turqia me vendosmëri do të vazhdojë operacionin e saj ushtarak.
Duke folur para gazetarëve në Pallatin Dolmabahçe në Stamboll, Erdoğan tha se çështja e zonës së sigurt do të zgjidhet nëse SHBA i mban premtimet e saj deri në fund të periudhës 120-orëshe.
Ai tha se ushtria turke nuk do të tërhiqet nga Siria veriore. “Forcat ushtarake të Turqisë nuk do të largohet nga rajoni, pasi siguria atje e kërkon këtë gjë”, tha presidenti turk.
Ai theksoi se planifikojnë kthimin e rreth 1-2 milionë refugjatëve në zonën e sigurt.
“Operacioni ushtarak i Turqisë nuk është një formim i çastit. Nëse kthehemi prapa, ka 3, 4, 5 vjet që bëhen përgatitje”, deklaroi Erdoğan.
“Kur nga disa pika arritëm në thellësi prej 30 kilometrash, për një çast ndryshoi qëndrimi i disa vendeve, veçanërisht i SHBA-së dhe Evropës”, tha më tej presidenti i Turqisë.
Erdoğan pretendoi se Turqia respekton integritetin territorial të Sirisë dhe shprehu bindje se Komiteti Kushtetues që do të mblidhet më 30 tetor në Gjenevë të jetë një moment historik për zgjidhjen politike në fqinjin jugor.
Turqia dhe SHBA dje arritën një marrëveshje për të pauzuar operacionin ushtarak në veri të Sirisë.
Turqia ra dakord të pauzojë operacionin e saj ushtarak për 120 orë në mënyrë që të lejojë tërheqjen e ushtarëve të YPG/PKK-së nga zona e planifikuar e sigurt.
Në bisedimet e së enjtes, Erdoğan dhe nënpresidenti amerikan Mike Pence gjithashtu ranë dakord që Turqia të ketë një zonë prej rreth 30 kilometrash në kufirin sirian.