Anglia trajnon ushtarët sauditë
Bëhet e ditur se Anglia ka trajnuar ushtarët e Arabisë Saudite, e cila akuzohet për shkeljen e të drejtave të njeriut në Jemen.
Sipas lajmit të gazetës angleze “The Guardian” në Akademinë Ushtarake Mbretërore Sandhurst dhe në Kolegjin Mbretëror Detar prej vitit 2015 e këtej janë duke u trajnuar të paktën 43 ushtarë sauditë. Në lajmin e gazetës thuhet se shumica e 43 ushtarëve në fjalë trajnohen në Kolegjin Mbretëror Detar, ndërsa tërhiqet vëmendja se Forcat Detare Saudite akuzohen për rrethimin, i cili posaçërisht prek fëmijët dhe për vrasjen e peshkatarëve në Jemen, që ballafaqohen me urinë. “The Guardian” njoftoi se informatat në lidhje me numrin e ushtarëve sauditë i mori pas pranimit të ankesës së saj në gjykatë, të bërë pas refuzimit të kërkesës së saj pranë Ministrisë së Mbrojtjes për të dhënë informata në lidhje me çështjen. Ministria e Mbrojtjes e Anglisë, nuk dha informata për shumën e parave të fituara nga këto trajnime. Si arsyetim Ministria në fjalë paraqiti rrezikun e ndikimit në marrëdhënie mes Londrës dhe Riadit dhe të përdorimit të këtyre të dhënave nga ana e vendeve dhe kompanive tjera për konkurrencë. Organizata për Monitorimin e të Drejtave të Njeriut (Human Rights Watch-HRW) thotë se kjo informatë tregon se sa ngushtë bashkëpunon ushtria angleze me sauditët, ndërsa shtoi se ushtria saudite po zbaton bllokadë detare ndaj Jemenit dhe po i vret civilët jemenas. Ndërkaq bëhet e ditur se, Anglia prej vitit 2015 e këtej i ka shitur armë koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite, i cili ndërmerr operacione në Jemen, në vlerë 5,7 miliardë sterlina