Moska paralajmëron Izraelin: Ndalo sulmet në Siri!
Sulmet ajrore të regjimit izraelit kundër Sirisë po përkeqësojnë krizën në rajon dhe konsiderohen shkelje të sovranitetit të Sirisë, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.
"Vazhdimi i sulmeve të njëanshme izraelite në tokën siriane është një shkelje e sovranitetit të këtij vendi arab dhe vetëm sa e përkeqëson situatën në rajon. Të tilla sulme duhet të marrin fund" tha Zakharova, raporton Sputnik. "Avionët luftarakë izraelitë sulmuan përmes hapësirës ajrore libaneze, Sirinë, duke vrarë një ushtar dhe duke plagosur 10 të tjerë," shtoi ajo. Mediat libaneze raportuan të enjten (12 mars) shkeljen e hapësirës ajrore libaneze nga aeroplanët luftarakë izraelitë. "Falë marrëveshjeve të lidhura midis Rusisë dhe Turqisë, ne jemi dëshmitarë të një de-përshkallëzimi në Idlib dhe të dyja palët po respektojnë plotësisht angazhimet e tyre," tha Zakharova. "Ministrat e mbrojtjes turk dhe rus po zhvillojnë konsultime për të siguruar zbatimin e plotë të këtyre marrëveshjeve. Shpresoj se këto marrëveshje do të çojnë në stabilitet në Idlib dhe në një përmirësim të situatës humanitare në këtë zonë," shtoi ajo.