Asad pret Shoigun
Ministri rus i mbrojtjes Sergei Shoigu dhe presidenti sirian Bashar Asad u takuan të hënën 23 mars në Damask për të diskutuar marrëveshjen e armëpushimit të 5 marsit midis Turqisë dhe Rusisë dhe shkeljen e saj nga grupet terroriste.
Asad dhe Shoigu folën gjithashtu për situatën në zonën al-Xhazira të Sirisë (tre provincat e Raka, Deir ez-Zor dhe Hasake), plaçkitjen e naftës siriane nga Shtetet e Bashkuara, masat e marra nga Damasku për të ruajtur stabilitetin dhe sigurinë në të gjithë Sirinë, përpjekjet e Moskës për të hequr bllokadën dhe sanksionet e vendosura ndaj Sirisë, dhe bashkëpunimin ushtarak midis dy vendeve. Më parë, Zëvendësministri rus i Mbrojtjes, Gjeneral Alexander Fomin, në një intervistë për gazetën ruse Izvestia e përshkroi bojkotin energjik kundër Sirisë si çnjerëzor dhe të pamëshirshëm. "Shtetet e Bashkuara vjedhin me paturpësi pasurinë kombëtare të Sirisë dhe në të njëjtën kohë parandalojnë hyrjen e energjisë në këtë vend, gjë që është në kundërshtim me ligjin humanitar ndërkombëtar ", tha ai. Në terren, të mbështetur nga forcat e ushtrisë siriane, banorët e fshatit Hamo në periferi të qytetit Kamishli në verilindje të Sirisë ndaluan trupat amerikane të hynin në fshatin e tyre. Një kolonë me 11 automjete të blinduara të forcave amerikane u përpoq këtë të hënë të kalonte fshatin Hamo, por banorët përkrah forcave të ushtrisë siriane i zmbrapsën ata.