Situata e koronavirusti në botë, OBSH paralajmëron
Mbi 32 milionë qytetarë në botë rezultojnë të infektuar me Covid-19, ndërsa numri i viktimave nga pandemia po kap 1 milionëshin.
Këto janë shifrat më të fundit që prezanton faqja e specializuar “Worldometers”. Nga të dhënat, SHBA kryeson renditjen përsa i përket infektimeve dhe vdekjeve, e ndjekur nga India, Brazili dhe Rusia. Numri i rasteve të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara ka tejkaluar shifrën 7 milionë, që do të thotë – më shumë se 20% të totalit botëror kurse totali i viktimave në vend është mbi 200 000, numri më i lartë në botë. India numëron 5,833,048 infektime dhe 92,503 viktima, ndërsa Brazili 4,659,909 qytetarë pozitivë dhe 139,883 të vdekur. Sa i përket Evropës, shteti me numrin më të lartë të infektimeve është Spanja me 704,209 të tillë, ndërsa sa i përket viktimave vendin e parë e zë Mbretëria e Bashkuar me 41,902 raste vdekjesh. Bashkimi Europian ka paralajmëruar se situata e pandemisë në Evropë është alarmante dhe shumë vende po regjistrojnë shifra më të larta edhe se sa në muajin mars, që merret si kulmi. Sa i përket Shqipërisë, vendi ynë deri tani numëron 13045 të infektuar nga të cilët 5363 ende aktivë dhe 373 viktima, 3 vetëm në 24 orët e fundit. Bilanci global i viktimave nga COVID-19 mund të dyfishohet në 2 milionë njësi përpara se një vaksinë efikase të jetë në dispozicion të qytetarëve për të frenuar pandeminë. Kështu ka deklaruar të premten Organizata Botërore e Shëndetësisë. “Është e paimagjinueshme, por jo e pamundur. Nëse humbasim një milion njerëz në 9 muaj dhe nëse shohim shanset për të pasur një vaksinë në 9 muajt e ardhshëm, atëherë do të jetë e vështirë për të gjithë”, ka thënë doktor Mike Ryan, drejtor i programit të emergjencave pranë OBSH-së. Numri i vdekjeve në 9 muaj, që nga rënia e koronavirusit në Kinë, po i afrohet 1 milionëshit. Ndërkohë, kuotat e infektimeve me COVID dhe shtrimeve në spitale po rriten në mbarë Evropën, ku autoritetet duhet të punojnë për të parandaluar virusin në prag të sezonit të gripit. Ndërkohë, OBSH po vijon bisedimet me Kinën për një përfshirje të mundshme të saj në skemën e financimit COVAX, e projektuar për të pasur një akses të barabartë e të shpejtë në vaksinën anti-COVID.