Mbi 400,000 amerikanë mund të vdesin nga koronavirusi
Drejtori i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive të SHBA tha se midis 300,000 dhe 400,000 amerikanë mund të vdesin nga Covid-19, nëse nuk merren masa në vjeshtë dhe dimër.
"Modelet na tregojnë se nëse nuk bëjmë atë që duhet në vjeshtë dhe dimër, mund të kemi 300,000-400,000 vdekje nga Covid-19", tha Dr. Anthony Fauci në një event virtual të organizuar nga Universiteti Amerikan. Fauci pohoi gjithashtu se një vaksinë ndoshta nuk do të jetë në dispozicion për shumicën e amerikanëve deri në verën ose vjeshtën e ardhshme. Ai më parë kishte thënë se jeta mund të mos kthehet në normalitet deri në fund të vitit të ardhshëm. Epidemiologu amerikan Anthony Fauci ka hedhur poshtë pretendimet e presidentit Donald Trump, se koronavirusi është po aq vdekjeprurës sikurse edhe gripi. Ai nuk hezitoi të bëjë një dallim mes këtyre dy problemeve shëndetësore, që brengosin shumë qytetarët kudo nëpër botë. “Nuk është e vërtetë që koronavirusi është i njëjtë sikurse një grip. Kanë simptoma të ngjashme, por gripi nuk mund t’ju bëjë atë çfarë ju bën koronavirusi”, ka shtuar Fauci. Sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins, deri më tani SHBA kanë regjistruar 215,909 vdekje dhe më shumë se 7,5 milionë infeksione të konfirmuara me Covid-19.