BE vendos sanksione ndaj 6 funksionarëve të Rusisë
https://parstoday.ir/sq/news/world-i100759-be_vendos_sanksione_ndaj_6_funksionarëve_të_rusisë
Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione ndaj gjashtë zyrtarëve rusë dhe një qendre kërkimore kimike për helmimin e aktivistit të opozitës, Aleksei Navalni.
(last modified 2026-06-18T18:22:28+00:00 )
Tetor 15, 2020 13:11 Europe/Tirane
  • BE vendos sanksione ndaj 6 funksionarëve të Rusisë

Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione ndaj gjashtë zyrtarëve rusë dhe një qendre kërkimore kimike për helmimin e aktivistit të opozitës, Aleksei Navalni.

Në mesin e personave të prekur nga sanksionet janë shefi i Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB), Aleksander Bortnikov, dhe dy zëvendësministra të Mbrojtjes. Ndaj tyre janë vendosur ndalim i udhëtimeve dhe ngrirje e aseteve.

Figura kryesore e opozitës ruse është duke u trajtuar në Berlin. Ai e ka akuzuar presidentin rus, Vladimir Putin, për sulmin me agjentin nervor, Noviçok, në fund të gushtit, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Qeveria ruse ka mohuar se ka ndonjë rol në këtë rast.

Ministrat e Jashtëm të BE-së u morën vesh për sanksione ndaj këtyre zyrtarëve pasi u nxitën nga Franca dhe Gjermania, të cilat janë të bindura se helmi erdhi nga një organ shtetëror.

Në deklaratën e BE-së që u publikua të enjten thuhet: “Duke marrë parasysh që Aleksei Navalni ishte nën vëzhgim në kohën e helmimit, është e arsyeshme të arrihet në përfundim se helmimi ka qenë i mundshëm vetëm me përfshirjen e Shërbimit Federal të Sigurisë”.

Sipas deklaratës, sanksionet ndaj zyrtarëve rusë janë pjesë e një aksioni kundër prodhimit dhe përdorimit të armëve kimike.