Rregulla të reja në debatin e fundit presidencial në SHBA
Debati i dytë dhe i fundit para zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara duket se do të mbahet me rregulla të reja të vendosura për të mos lejuar kandidatët të ndërpresin njëri-tjetrin.
Ish-nënkryetari, Joe Biden, dhe presidenti amerikan, Donald Trump, do të kenë mikrofonat e fikur në debatin e ardhshëm dhe të fundit presidencial, në mënyrë që të mos e ndërprenë njëri-tjetrin gjatë diskutimit, Presidenti Donald Trump shprehu pakënaqësinë e tij me strukturën e përgjithshme, duke u thënë gazetarëve të hënën se megjithëse ai mendon se ndryshimi “është shumë i padrejtë”, do të marrë pjesë në debat të enjten në Nashville, Tenesi. Kristen Welker, do të moderojë debatin dhe ka zgjedhur si tema për pyetjet ndaj Presidentit Trump dhe rivalit të tij demokrat Joe Biden, luftën ndaj COVID-19, sfidat e familjeve amerikane, çështjet racore në Amerikë, ndryshimin e klimës, sigurinë kombëtare dhe udhëheqjen e vendit. Të hënën, fushata e Trump tha se ishte e pakënaqur me temat, duke argumentuar se duhej të përqendrohej më shumë në politikën e jashtme dhe duke u ankuar që grupi jopartiak ishte i prirur nga Biden. Kandidatët presidencialë debatuan për herë të parë më 29 shtator dhe ishin parashikuar që të mbanin një debat të dytë javën e kaluar. Por Presidenti Trump u infektua nga koronavirusi dhe kur Komisioni jopartiak për Debatet Presidenciale vendosi që kandidatët ta bënin debatin virtualisht, presidenti u tërhoq.