Debati i fundit presidencial, përplasje mes dy kandidatëve
https://parstoday.ir/sq/news/world-i100940-debati_i_fundit_presidencial_përplasje_mes_dy_kandidatëve
Presidenti amerikan Donald Trump dhe kandidati demokrat për Shtëpinë e Bardhë, ish-zv. presidenti Joe Biden ndodhen në Neshvill për debatin e fundit presidencial përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Tetor 23, 2020 07:11 Europe/Tirane
  • Debati i fundit presidencial, përplasje mes dy kandidatëve

Presidenti amerikan Donald Trump dhe kandidati demokrat për Shtëpinë e Bardhë, ish-zv. presidenti Joe Biden ndodhen në Neshvill për debatin e fundit presidencial përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Moderatorja e debatit Kristen Walker nga NBC News do t’i drejtojë ata mes çështjeve kryesore si pandemia COVID-19, siguria e familjeve amerikane, siguria kombëtare, çështje racore dhe lidershipi. Secili prej tyre do të ketë 15 minuta kohë për të diskutuar për çështjet e parashikuara. Në skenën e debatit janë vendosur xhama për të mbajtur distancën mes dy kandidatëve si një masë për parandalimin e COVID-19. Gjatë ditëve të fundit të Trump dhe Biden kanë mbajtur fushata intensive ku nuk kanë kursyer akuzat ndaj njëri-tjetrit. Presidenti i SHBA, Donald Trump përsëriti akuzat e tij kundrejt kandidatit demokrat për president Joe Biden dhe djalit të tij Hunter gjatë debatit të fundit presidencial në Neshvill. Trump i akuzon ata për përfshirje në praktika joetike në Kinë dhe Ukrainë, prej të cilave janë pasuruar dhe kanë marrë shuma të mëdha parash.  Biden i quajti këto akuza si false dhe të diskredituara, pasi këto pretendime nuk kanë asnjë provë të verifikuar. Biden mbrojti familjen e tij dhe tha se ai kurrë nuk kishte marrë "asnjë qindarkë të vetme" nga një shtet i huaj, dhe akuzoi Trump se me këto pretendime po përpiqej të shpërqendronte amerikanët. "Ka një arsye pse ai po i thotë këto", tha Biden, duke parë drejtpërdrejt në kamera. "Nuk ka të bëjë me familjen e tij dhe familjen time. Ka të bëjë me familjen tuaj dhe familja juaj është dëmtuar shumë."