Aliyev hedh poshtë ndërhyrjen e Rusisë në konfliktin e Karabakut
Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev deklaroi se nuk ka asnjë arsye që Rusia të ndërhyjë në konfliktin e vazhdueshëm midis Azerbajxhanit dhe Armenisë rreth rajonit të diskutueshëm të Nagorni-Karabakut, pasi Baku nuk ka "asnjë plan" për të kryer operacione ushtarake kundër Armenisë.
Udhëheqësi azerbajxhanas i bëri deklaratat të Dielën në një takim me Ministrin e Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu në kryeqytetin Baku, duke thënë: "Azerbajxhani po kryen operacione ushtarake në territorin e tij dhe nuk ka plane ushtarake për territorin e Armenisë." Aliyev gjithashtu tha se Baku do të pranonte një armëpushim me kusht që separatistët e mbështetur nga Jerevani të ndalonin përpjekjet për të marrë përsëri territorin e çliruar kohët e fundit nga forcat azerbajxhanase. "Kjo është arsyeja kryesore për luftime të vazhdueshme," theksoi ai. Cavusoglu, nga ana e tij, rikonfirmoi mbështetjen e Turqisë për Azerbajxhanin, duke thënë se Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan i kishte thënë se ishte "e papranueshme" të linte Azerbajxhanin pa ndihmë. Deklaratat e tij erdhën një ditë pasi Kryeministri armen Nikoll Pashinyan i dërgoi një kërkesë zyrtare Presidentit rus Vladimir Putin "për të filluar konsultime urgjente për ndihmë ushtarake", duke vënë në dukje se luftimet po afroheshin më afër kufijve të Armenisë. Moska ka premtuar t'i sigurojë Armenisë "të gjithë ndihmën e nevojshme".