Fushata elektorale në Amerikë vazhdon
Kandidati demokrat Joe Biden doli në fushatë me Barack Obamën në Miçigan. Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara u përpoq të bindte qytetarët e lëkundur të votojnë për Biden.
“Unë e kuptoj që ky është një president që do të marrë meritat për ekonominë që trashëgoi dhe të mohojë fajin për pandeminë që injoroi, por gjërat s’funksionojnë kështu. Bashkë me eksperiencën për t’i bërë gjërat si duhet, Biden ka plane dhe politika konkrete që do ta kthejnë vizionin tonë për një Amerikë më të mirë në realitet”, u shpreh Obama. Shqetësimet për COVID-19, që në Shtetet e Bashkuara po vret mbi 1 mijë persona në ditë, mbeten një pikë kyçe për votuesit. Kjo, pasi virusi ka vrarë më shumë njerëz në Amerikë se në çdo vend tjetër. Në një miting të vogël në Pensilvani, presidenti Donald Trump sulmoi sërish rivalin e tij për kritikat e bëra ndaj administratës për luftimin e koronavirusit, që në Shtetet e Bashkuara ka vrarë më shumë njerëz se në çdo vend tjetër të botës. “Pash Joe Biden të fliste ditën e djeshme. Ai thotë vetëm COVID, COVID, COVID dhe nuk ka asgjë tjetër për të thënë. Thotë gjithashtu se i kemi duart e lidhura. Si dreqin mund t’i kem unë duart e lidhura?”, tha Trump. Shqetësimet për ekspozimin ndaj koronavirusit ditën e zgjedhjeve kanë nxitur njerëzit të votojnë me postë, ose të rreken personalisht në qendrat e votimit. Një shifër rekord prej rreth 90 milionë amerikanësh kanë votuar tashmë për zgjedhjet presidenciale. Bëhet fjalë për rreth 65 për qind të totalit të votuesve në zgjedhjet e 2016 dhe që reflekton interesin e qytetarëve për të votuar.