Rritet epërsia e Biden, Trump ka ende shanse
https://parstoday.ir/sq/news/world-i101283-rritet_epërsia_e_biden_trump_ka_ende_shanse
Amerikanët po presin të enjten të shohin nëse numërimi i votave në disa shtete do ta bëjë të qartë fituesin e zgjedhjeve presidenciale, një ditë pasi fitoret në dy shtete vendimtare i rritën shanset për ish-nënpresidentin Joe Biden.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Nëntor 05, 2020 16:22 Europe/Tirane
  • Rritet epërsia e Biden, Trump ka ende shanse

Amerikanët po presin të enjten të shohin nëse numërimi i votave në disa shtete do ta bëjë të qartë fituesin e zgjedhjeve presidenciale, një ditë pasi fitoret në dy shtete vendimtare i rritën shanset për ish-nënpresidentin Joe Biden.

Organizatat e mediave amerikane ende nuk kanë nxjerrë parashikimet për fituesit në gjashtë shtete: Alaska, Arizona, Xhorxha, Nevada, Karolina e Veriut dhe Pensilvania. Sipas parashikimeve të tyre nga e mërkura, Biden është fitues në Miçigan dhe Uiskonsin, dy shtete ku Trump fitoi në zgjedhjet e vitit 2016. “Nuk po dal për të deklaruar se kemi fituar, por për të thënë se kur të përfundojë numërimi, ne besojmë se do të jemi fituesit,” tha Biden të mërkurën pasdite. Biden mund ta arrijë pragun e270 votave në Kolegjit Zgjedhor, i nevojshëm për të fituar zgjedhjet nëse ruan epërsinë në Arizona dhe Nevada. Biden gjithashtu kryeson përsa i takon votës popullore në shkallë kombëtare. Deri të enjten në mëngjes ai kishte siguruar 71.6 milionë vota, krahasuar me 68.1 milion vota të hedhura për Trump, sipas Edison Research dhe Associated Press. Me një numër të lartë votuesish të hershëm, numri i përgjithshëm i votuesve për vitin 2020, sipas disa vlerësimeve, mund të arrijë në 150 milionë ose më shumë, një shifër rekord. Megjithatë, presidenti Trump ka ende një rrugë drejt fitores nëse prirja e votave ndryshon gjatë numërimit në ndonjë nga shtetet ku zoti Biden kryeson. Presidenti po udhëheq në shtete të tjera, ku parashikimet për fituesin nuk janë bërë ende: Pensilvania, Xhorxhia, Karolina e Veriut dhe Alaska. Nëse i siguron ato, por nuk arrin të ndryshojë prirjen tek një nga shtetet ku Biden kryeson, Trump do të përfundonte me 268 vota elektorale, më pak sesa totali i nevojshëm për të fituar. Në Pensilvani, aktualisht po numërohen më shumë se 1 milion fletëvotime me postë. Fushata e Biden tha se ka fituar 78% të votave me postë në Pensilvani. Rezultatet në atë shtet nuk priteshin deri të enjten ose të premten. Fushata Biden i kishte bërë thirrje mbështetësve të votonin me postë për shkak të pandemisë së koronavirusit, ndërsa Trump ka denoncuar votimin përmes postës si metodë për manipulim. Fushata e Trump tha të mërkurën se do të kërkojë një rinumërim të votave në Uiskonsin, ku Biden kryeson me rreth 20,000 vota dhe ka ngritur një proces gjyqësor duke kërkuar të ndalojë numërimin në Miçigan, ku Biden kryeson me mbi 35,000 vota. Pjesëtarë të ekipit të presidentit në Pensilvani, ku Trump kryesonte në një moment me rreth 389,000 vota, janë gjithashtu duke ngritur sfida ligjore për të ndaluar numërimin e fletëve të votimit me postë. Fushata e Trump gjithashtu depozitoi një padi në Xhorxhia duke i kërkuar një gjyqtari të urdhërojë zyrtarët shtetërorë të zgjedhjeve të ndjekin ligjin në ruajtjen dhe numërimin e fletëve të votimit që mungojnë, sipas The Associated Press. Herët në mëngjes të mërkurën, Presidenti Trump pretendoi fitoren në zgjedhje, pavarësisht nga fakti se numërimi i votave ishte duke vazhduar dhe bëri akuza të pabazuara për mashtrim elektoral.