Shpallja e Biden si fitues në zgjedhje
https://parstoday.ir/sq/news/world-i101343-shpallja_e_biden_si_fitues_në_zgjedhje
Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden mundi presidentin në detyrë Donald Trump, duke i dhënë fund ditëve të pritjes.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Nëntor 08, 2020 04:34 Europe/Tirane
  • Shpallja e Biden si fitues në zgjedhje

Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden mundi presidentin në detyrë Donald Trump, duke i dhënë fund ditëve të pritjes.

Sipas Associated Press (AP) dhe organizatave të tjera mediatike, Biden fitoi shtetin vendimtar Pennsylvania dhe kështu tejkaloi shifrën prej 270 delegatëve të nevojshëm të Kolegjit Zgjedhor për të fituar zgjedhjet. Sipas AP-së, Biden tani ka gjithsej 290 delegatë, edhe pse në shtetet Georgia, Carolina e Veriut dhe Alaska rezultatet përfundimtare ende nuk janë shpallur pas zgjedhjeve presidenciale të së martës. "Amerikë, unë jam i nderuar që më ke zgjedhur mua për të udhëhequr vendin tonë të madh", tha presidenti i zgjedhur në Tëitter. "Puna përpara nesh do të jetë e vështirë, por unë ju premtoj këtë: Unë do të jem president për të gjithë amerikanët, pavarësisht nëse keni votuar për mua ose jo. Unë do të mbaj besimin që më keni dhënë", shtoi ai. Fitorja e Biden-it e bën Trump-in presidentin e parë me vetëm një mandat në gati tre dekada. Megjithatë, Trump është zotuar të ndjekë rrugë ligjore për totalin e votave në disa shtete. Menjëherë pasi çdo media e madhe në SHBA shpalli Biden-in për fitues, Trump reagoi ashpër, duke pretenduar se zgjedhjet "nuk kanë mbaruar". "Joe Biden nuk është çertifikuar si fituesi i asnjë shteti, e lëre më në ndonjë prej shteteve shumë të kontestuara që shkojnë drejt rinumërime të detyrueshme, ose shtetet ku fushata jonë ka sfida ligjore të vlefshme dhe të ligjshme", tha ai. "Votat ligjore vendosin se kush është president, jo lajmet e mediave", shtoi ai. Me këtë fitore gjithashtu shkruhet historia edhe për kandidaten për zv/presidente që garoi bashkë me Biden-in, senatoren Kamala Harris, e cila tani do të bëhet gruaja e parë që do të shërbejë si zv/presidente në SHBA, duke u bërë njëkohësisht personi i parë me ngjyrë dhe personi i parë me origjinë aziatike që ka mbajtur këtë post. Ekipi i tranzicionit të zotit Biden nuk priti marrjen e vendimit përfundimtar të garës presidenciale që t’i përvishej punës. Para fitores së të shtunës për Biden, ndihmësi i tij i vjetër Ted Kaufman vazhdonte drejtimin e përpjekjeve për të siguruar fillimin e një kabineti qeveritar në pritje të fitores.  Kaufman është një ish-senator nga shteti Delaëare i cili u emërua për të mbushur vendin e lënë bosh nga Biden kur ky i fundit u zgjodh në postin e nënpresidentit. Ai po ashtu ka punuar për ekipin tranzitor të Presidentit Barack Obama në vitin 2008, si dhe ka ndihmuar në hartimin e legjislacionit që zyrtarizon procesin e tranzicionit presidencial.  Biden fillimisht i kërkoi ndihmësit Kaufman që të punonte mbi mundësinë e tranzicionit në muajin prill, menjëherë pasi ai mori emërimin e Partisë Demokrate për të kandiduar për postin e presidentit. Tranzicioni mund të jetë një proces shumë i ngarkuar, madje edhe në rrethana normale.  Situata aktuale deri diku të kujton garën presidenciale amerikane të vitit 2000 dhe betejën ligjore që pasoi lidhur me rinumërimin e votave në Florida. Pas më shumë se një muaji, mosmarrëveshja mes republikanit George Ë. Bush dhe demokratit Al Gore u zgjidh nga vendimi i Gjykatës së Lartë – duke e shkurtuar fazën tranzitor në vetëm 39 ditë para ceremonisë së inaugurimit në janar të vitit 2001.  Ekipi i fushatës së Biden nuk ka pranuar të komentojë mbi procesin e tranzicionit. Këshilltarët e tij më të afërt thonë se përparësia kryesore do të jetë shpallja e shefit të stafit të Shtëpisë së Bardhë dhe pastaj puna për të luftuar pandeminë e koronavirusit.  Janë rreth 4 mijë emërime që bëhen nga presidenti i ri dhe më shumë se 1’200 prej tyre duhet të marrin miratimin e Senatit. Kjo mund të jetë një sfidë për Biden pasi Senati mund të mbetet nën kontrollin e republikanëve.  Procesi i tranzicionit fillon pas zyrtarizimit të fituesit të zgjedhjeve në bazë të fakteve në dispozicion që ka Administrata e Shërbimit të Përgjithshëm, një agjenci e pavarur e qeverisë amerikane e themeluar në vitin 1949 e cila ndihmon në menaxhimin dhe mbështetjen e funksioneve themelore të agjencive federale.  Po ashtu ende nuk është e qartë nëse presidenti do të takohet personalisht me zotin Biden. Presidenti Obama u takua me Trump pak ditë pas fitores prej tij të zgjedhjeve, ndërsa nuk kishte asnjë mosmarrëveshje lidhur me fitoren e zotit Trump në Kolegjin Elektoral përballë kandidates Clinton.  Pavarësisht se kur fillon procesi, Biden do të duhet të përballet me situatën e pandemisë e cila ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 230 mijë amerikanëve. Biden ka premtuar të përdor periudhën e tranzicionit për t’u takuar me guvernatorët e të gjitha shteteve dhe t’u kërkojë atyre që të vendosin një mandat mbarëkombëtar për vënien e maskave. Ai ka thënë se ka plane që të shkojë edhe atje ku kjo kundërshtohet për të siguruar mbështetjen për një mandat të tillë nga zyrtarët shtetërorë dhe lokalë.