Biden: “Më shumë njerëz do të vdesin nëse nuk koordinohemi”
Presidenti i zgjedhur Joe Biden parashtroi vizionin e tij për ekonominë amerikane, në një kohë kur vendi është goditur rëndë nga pasojat e pandemisë.
Pas një sesioni informimi mbi gjendjen në vend, Biden foli dje mbi masat që do të marrë administrata e tij për të rigjallëruar ekonominë, ndërkohë që akuzoi Presidentin Trump se po pengon procesin e rimëkëmbjes dhe lëvrimin e ndihmave për amerikanët në nevojë. Presidenti i zgjedhur Joe Biden paralajmëroi se refuzimi i Presidentit Donald Trump për të njohur tranzicionin përpara inaugurimit më 20 janar mund të ketë pasoja të rënda ndërsa vendi përballet me pandeminë e koronavirusit. “Më shumë njerëz do të vdesin nëse nuk koordinohemi”, tha Biden në përgjigje të një pyetjeje nga gazetarët të hënën në qytetin e tij Uillmington. Biden paralajmëroi sërish për një dimër të vështirë dhe bëri thirrje për miratimin e menjëhershëm të paketës së ndihmës financiare për koronavirusin. Ai tha se asistenca financiare po shteron dhe se janë 20 milionë amerikanë që rrezikohen të humbasin shtëpitë e tyre sepse nuk përballojnë dot qiratë dhe këstet e kredive. “Ka ardhur koha që të shpërblejmë, jo vetëm të pasurit në Amerikë. Ne do të krijojmë një strukturë të ndershme taksash dhe do të sigurohemi që më të pasurit dhe korporatat të paguajnë pjesën që u takon”, tha Biden. Biden premtoi rritje të rrogave, sanksionimin e një page minimale prej 15 dollarësh në orë në mbarë Shtetet e Bashkuara dhe programe më të forta sociale për të ringritur klasën e mesme të shoqërisë amerikane.Sipas Universitetit Johns Hopkins, Shtetet e Bashkuara mbajnë vendin e parë në botë me mbi 251 mijë viktima dhe mbi 11.1 milionë të infektuar nga koronavirusi.