Amerika del nga Traktati për Qiej të Hapura
https://parstoday.ir/sq/news/world-i101689-amerika_del_nga_traktati_për_qiej_të_hapura
Shtetet e Bashkuara edhe zyrtarisht pritet të tërhiqen nga Traktati për Qiej të Hapur – një marrëveshje 18-vjeçare për kontrollin e armëve, për të cilën Uashingtoni e ka akuzuar vazhdimisht Moskën se po e shkelë.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Nëntor 22, 2020 09:58 Europe/Tirane
  • Amerika del nga Traktati për Qiej të Hapura

Shtetet e Bashkuara edhe zyrtarisht pritet të tërhiqen nga Traktati për Qiej të Hapur – një marrëveshje 18-vjeçare për kontrollin e armëve, për të cilën Uashingtoni e ka akuzuar vazhdimisht Moskën se po e shkelë.

Tërheqja nga ky Traktat është paraparë të ndodhë më 22 nëntor dhe është një goditje e radhës që i bëhet sistemit ndërkombëtar të kontrollit të armëve, të cilin, presidenti amerikan, Donald Trump vazhdimisht e ka përbuzur, duke u ankuar se Uashingtoni padrejtësisht po kufizohej në kapacitetet e tij ushtarake.

Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo më 21 maj kishte njoftuar për vendimin e SHBA-së që të tërhiqej nga ky traktat dhe dha njoftim paraprak prej gjashtë muajsh 34 shteteve anëtare të këtij pakti, ashtu siç kërkohet edhe me rregullat e Traktatit.

Departamenti Amerikan i Shtetit ende nuk ka njoftuar zyrtarisht për tërheqjen nga ky Traktat.

Por, Ministria e Jashtme e Rusisë e ka dënuar këtë vendim të SHBA-së.

“Uashingtoni ka bërë lëvizjen e tij. As siguria evropiane, por as siguria e SHBA-së dhe aleatëve të saj, nuk do të përfitojnë nga ky veprim. Tani, shumë vende në Perëndim do të presin se cili do të jetë reagimi i Rusisë. Përgjigja është e thjesht. Ne vazhdimisht e kemi theksuar se për ne të gjitha opsionet janë të hapura”, tha ministria në një deklaratë të lëshuar më 22 nëntor.

I nënshkruar më 1992, por që hyri në fuqi më 2002, Traktati lejon 34 shtetet anëtare që të kryejnë fluturime vëzhguese, të paarmatosura në territoret e shteteve anëtare, për të mbledhur të dhëna për forcat ushtarake dhe aktivitetet e tyre. Në bazë të këtij Traktati, deri më tani janë kryer mbi 1,500 fluturime vëzhguese.

Këto fluturime vëzhguese, sipas marrëveshjes, ndihmojnë për shembull që shtetet të mësojnë nëse armiqtë e tyre janë duke vendosur trupa apo po përgatiten për sulme.