COVID-19, Merkel optimiste
Kancelarja Angela Merkel (CDU) foli me besim në Kombet e Bashkuara për luftën kundër pandemisë së coronavirusit.
Përparimi në zhvillimin e vaksinave jep shpresë, tha Merkel përmes videos në seancën speciale për coronavirusin të Asamblesë së Përgjithshme të OKB në New York. Përkundër të gjitha vështirësive në këtë vit krize, kishte një dritë në fund të tunelit. Merkel vlerësoi programin e OKB-së kundër sëmundjes Covid-19. Kjo do të krijojë një platformë globale për zhvillimin dhe shpërndarjen e medikamenteve, diagnostifikimit dhe vaksinave, tha ajo. Programi – theksoi kancelarja – ka nevojë për mbështetje shtesë financiare. Në të njëjtën kohë, askush nuk duhet të harrojë se pandemia mund të kapërcehet përfundimisht vetëm kur të gjithë në botë kanë qasje në vaksinat efektive, theksoi kancelarja. Pandemia gjithashtu qartëson rëndësinë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). OBSH duhet të forcohet dhe në të ardhmen të jetë edhe më e aftë t’u përgjigjet kërcënimeve ndërkufitare për shëndetin. Gjermania është e përkushtuar për këtë, tha Merkel.