Shoferët britanikë përplasen me policinë në port
Bllokimi i kamionëve britanikë drejt Francës mund të zgjasë për disa ditë ndërsa prej rritjes së tensioneve, përleshje shpërthyen sot mes shoferëve dhe policisë në portin e Dover dhe në aeroportin Manston ku janë parkuar një numër i madh prej tyre.
Kryeministri britanik Boris Johnson dhe presidenti francez Emmanuel Macron arritën mbrëmë një akord për kalimin e kamionëve në Francë me testimet 30-minutëshe të koronavirusit, por pas dy ditësh bllokim prej frikës së variantit të ri britanik të Covid-19, tensionet mbeten të larta. Shoqata britanike e transporteve tha se kaosi pritet të zgjasë deri më 26 dhjetor, teksa vetëm 100 deri në 300 teste të shoferëve kryhen në një orë në aeroportin e Manston, ndërsa në të gjithë rajonin juglindor britanik të Kent janë të bllokuara 8,000 deri në 10,000 kamionë. Në portin kryesor drejt Francës, Dover, shoferët kishin bllokuar hyrjen pasi nuk lejoheshin të kalonin ngushticën Pas De Calais pa teste negative të koronavirusit. Për të marrë testin ata duhet të udhëtonin 18 milje drejt Ramsgate, ku radha është tashmë e mbushur me 3,800 shoferë kamionësh, të cilët gjithashtu janë përplasur me policinë. Tensione kishte gjithashtu në aeroportin e Manston ku shoferët protestues thyen barrierat dhe bllokuan autostradën.