Trump vazhdon përpjekjet për ndryshimin e rezultatit
Ndërsa në 6 janar Kongresi pritet të certifikojë fitoren e Joe Biden, presidenti në largim Donald Trump nuk i ndal përpjekjet e tij për të siguruar një mandat të dytë në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Pas dështimit me proceset gjyqësore, tanimë një tjetër ngjarje del në pah. Një regjistrim vokal është bërë publik nga ‘Washington Post’, ku dëgjohet se si Presidenti Trump i kërkon zyrtarit të lartë të zgjedhjeve në Georgia të "gjejë" vota të mjaftueshme për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve. Në fragmentet e publikuara nga ‘Washington Post’, Trump mund të dëgjohet duke bërë presion ndaj sekretarit të shtetit, Brad Raffensperger. "Pra, dëgjoni. Ajo që dua të bëj është kjo. Unë thjesht dua të gjej 11.780 vota, që është një më shumë se sa kemi. Sepse ne e fituam shtetin. Njerëzit në Georgia janë të zemëruar. Dhe, nuk ka asgjë të keqe të thuash, e di çfarë….. i rillogaritëm rezultatet", dëgjohet të thotë Trump. Në bisedën telefonike Raffensperger dëgjohet duke thënë se: "Sfida që keni Z. President është se të dhënat që keni janë të gabuara". Shteti i Georgia zhvilloi tre numërime të ndara të votave, duke rezultuar në dy certifikime zyrtare të fitores së Biden. Rezultatet përfundimtare tregojnë se Biden fitoi 11,779 vota më shumë se Trump. Përpara publikimit të audios, Trump shkroi në Twitter duke thënë se Raffensperger "nuk ishte i gatshëm, ose i paaftë, për t'iu përgjigjur çështjeve të tilla si mashtrimi, 'fletëvotimet nën tryezë', shkatërrimi i votave, votuesit e vdekur etj. E sërish në Twitter zyrtari i lartë u kundërpërgjigj duke shkruar: ‘Me respekt zoti president, ajo çfarë po thoni nuk është e vërtetë, e vërteta do të dalë në dritë’. Një ditë më parë, 12 republikanë në senat, mbështetur edhe nga zv. presidenti Mike Pence u shprehën se nuk do të certifikojnë fitoren e Biden. Ndërkohë, po në Georgia të martën zhvillohen zgjedhje të rëndësishme ku do të votohen dy senatorët dhe rezultati do të përcaktojë balancën e pushtetit në Senat.