Merkel kërkon durim
Kancelarja gjermane, Angela Merkel e sheh si “punë të jashtëzakonshme” për familjet kohën e pandemisë. Ajo lutet për durim, ndërkohë që pediatrit paralajmërojnë me ngulm nga pasojat e lockdownit në Gjermani.
“Nuk jemi ende në atë pikë që të hapim shkollat dhe kopshtet”, tha kancelarja Merkel në mesazhin e saj javor në videopodcast. “Sa më me konsekuencë të veprojmë tani, të heqim dorë nga kontaktet, aty ku është e pashmangshme të mbajmë distancë, të respektojmë rregullat e higjienës e të vemë maskën, aq më shpejt kjo do të jetë e mundur”– shton ajo. “Vërtet që shifrat e infektimeve, po bien, sipas Merkelit, por në të njëjtën kohë ka një rrezik real nga mutacionet shumë infektuese të Coronës. Prandaj duhet që në rrugën tonë në javët e ardhshme të jemi të kujdesshëm dhe të veprojmë me maturi.” “Ne bëjmë gjithçka që të mund të hapim të parat kopshtet dhe shkollat, me qëllim që t’u japim fëmijëve një pjesë të përditshmërisë së tyre të zakonshme dhe të lehtësojmë familjet.” Merkel theksoi se “është një punë tejet e jashtëzakonshme” për nënat e baballarët, që të kujdesen e bëjnë detyrat bashkë me fëmijët e shkollave fillore, apo të kujdesen krahas punës për fëmijët që duhet të shkonin në kopsht. “Ne në qeverinë gjermane jemi shumë të vetëdijshëm, se sa e vështirë është përditshmëria për prindërit dhe fëmijët. Këtë nuk e nënvlerëson askush nga ne.”