BE sanksione ndaj katër zyrtarëve rusë
https://parstoday.ir/sq/news/world-i104610-be_sanksione_ndaj_katër_zyrtarëve_rusë
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian ranë dakord të vendosin sanksione ndaj katër zyrtarëve të lartë rusë si përgjigje ndaj burgosjes së kritikut të Kremlinit, Alexei Navalny.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Shkurt 22, 2021 15:53 Europe/Tirane
  • BE sanksione ndaj katër zyrtarëve rusë

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian ranë dakord të vendosin sanksione ndaj katër zyrtarëve të lartë rusë si përgjigje ndaj burgosjes së kritikut të Kremlinit, Alexei Navalny.

Lajmi u bë i ditur nga dy diplomatë të BE-së. Gjatë takimit nuk u diskutua mbi asnjë emër, por diplomatët thanë se në shënjestër të sanksioneve do të jenë kreu i Komitetit Hetimor rus, i cili merret me hetime për krime të rënda, drejtori i burgjeve, drejtori i Gardës Kombëtare ruse dhe prokurori i përgjithshëm, të cilët pritet të ndëshkohen me ndalim udhëtimi dhe ngrirje pasurish. Pavarësisht thirrjes drejtuar BE-së nga ndihmësit më të afërt të zotit Navalny për të vendosur sanksione ndaj anëtarëve të elitës së biznesit rus me lidhje të afërta me Presidentin Putin, qeveritë e BE-së kanë argumentuar në favor të shënjestrimit të zyrtarëve të lartë, pasi sipas tyre sanksione të tilla mund t’i rezistojnë më mirë sfidave ligjore. “Ne e kemi bërë të qartë që prej arrestimit të udhëheqësit rus të opozitës Alexei Navalnyt se nuk jemi të gatshëm të pranojmë këtë shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe kemi vendosur sanksione”, tha para takimit ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas. Po sot Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian vendosën të përgatisin një seri sanksionesh kundër përgjegjësve për grushtin ushtarak të shtetit që ndodhi më 1 shkurt në Mianmar. Ministrat e Jashtëm vendosën gjithashtu sanksione ndaj 19 zyrtarëve nga Venezuela të cilët i akuzojnë për “minim të demokracisë’.