Rusia dënon planin e Britanisë për rritje të arsenalit bërthamor
Kremlini ka thënë të mërkurën se ndjen keqardhje për vendimin e Britanisë së Madhe për të rritur arsenalin bërthamor, pasi Britania ka bërë të ditura planet për të rritur numrin e kokave bërthamore nga 180 në 260, deri në fund të dekadës.
Britania ka publikuar të martën një dokument që rikalibron politikën e saj të jashtme, duke përfshirë edhe rritjen e arsenalit bërthamor, duke u tërhequr nga përkushtimet e së kaluarës për të zvogëluar sasinë që ka. “Neve na vjen keq që Mbretëria e Bashkuar ka marrë këtë rrugë të rritjes së kokave bërthamore. Ky vendim dëmton stabilitetin ndërkombëtar dhe sigurinë strategjike”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dimtry Peskov para gazetarëve. “Prezenca e kokave bërthamore kërcënon paqen në botë”, ka shtuar ai. Vendimi i ri i autoriteteve britanike është në kundërshtim me marrëveshjen e fundit të nënshkruar në mes të Moskës dhe Uashingtonit. Në janar, Rusia është pajtuar me Shtetet e Bashkuara për të vazhduar një pakt bërthamor në mes të të dyja shteteve, për zvogëlim të numrit të armëve. Në dokumentin e Britanisë për politikë të jashtme, Rusia është identifikuar si “kërcënimi më direkt” për Mbretërinë e Bashkuar. Peskov ka thënë të mërkurën se Mbretëria e Bashkuar ka cituar “kërcënimin” pa “sqarim”. “Kjo nuk është e vërtetë. Asnjë kërcënim nuk vjen nga Rusia”, ka shtuar ai.