Kamala Harris caktohet për të adresuar krizën e emigrantëve në SHBA
Në muajin shkurt, autoritetet amerikane pritën mbi 100 mijë persona në kufirin jugor të SHBA-së. Janë me qindra minorenët që po mbahen në godina të posaçme, të ndarë nga familja dhe shpesh në shkelje të rregullave të pandemisë.
Të mërkurën, presidenti Joe Biden caktoi zëvendësen e tij, Kamala Harris, të bëjë përpjekje për të adresuar krizën humanitare, në koordinim me shtetet e origjinës. Republikanët akuzojnë Biden se po inkurajon emigracionin e paligjshëm dhe po e rëndon krizën në kufirin me Meksikën. Senatori i Teksasit, Ted Cruz, tha se edhe mediet proqeveritare nuk po i kushtojnë vëmendje krizës. “Shumë nga këta fëmijë emigrantësh po abuzohen fizikisht, seksualisht nëpër qendra. Dhe janë politikat e Joe Biden shkaktare të këtij abuzimi. Kjo tragjedi njerëzore po shkaktohet prej Biden,” tha Cruz.Ish-presidenti republikan, Donald Trump mbajti një pozicion më të ashpër kundrejt të huajve pa dokumente gjatë mandatit të vet, ndërsa plani i tij për të përforcuar murin kufitar me Meksikën, u ndërpre pas ardhjes së demokratëve.