Bota e kapluar nga pandemia dhe shpërndarja e padrejtë e vaksinave
(last modified Sun, 25 Apr 2021 18:21:48 GMT )
Prill 25, 2021 20:21 Europe/Tirane

Shpërndarja e padrejtë e vaksinave COVID-19 nëpër botë po bëhet çdo ditë e më groteske, deklaroi kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Ghebreyesus Adhanom, duke ripërtërirë thirrjet për solidaritet më të madh.

“Hendeku midis numrit të vaksinave të dhëna në vendet e pasura dhe numrit të vaksinave të dhëna përmes COVAX po rritet çdo ditë dhe po bëhet grotesk çdo ditë”, shtoi Ghebreyesus. “Vendet që tani po vaksinojnë njerëz të rinj, të shëndetshëm me rrezik të ulët të sëmundjes po e bëjnë këtë me koston e jetës së punonjësve të kujdesit shëndetësor, të moshuarve dhe grupeve të tjerë në rrezik në vendet e tjera”, shtoi ai. “Vendet më të varfra në botë po pyesin nëse vendet e pasura me të vërtetë nënkuptojnë atë që thonë kur flasin për solidaritet”, theksoi kreu i OBSH. Rreth 448 milion doza të vaksinave COVID-19 janë administruar në të gjithë botën deri tani. SHBA, Britania e Madhe dhe BE së bashku kanë mbi 206 milionë doza. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron u ka kërkuar sot Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian që të japin deri në 5% të furnizimeve të tyre aktuale të vaksinave COVID-19 për vendet në zhvillim. Macron tha se shpërndarja e tanishme e pabarabartë e dozave shënoi një “përshpejtim të paparë të pabarazisë globale”. Sipas tij, kur ekziston një vaksinë për të zvogëluar shanset që një grua ose një burrë të mund të mbijetojë është e papranueshme që mos t’i ofrohet kjo mundësi. “Ne po lejojmë idenë që të mbahen qindra miliona vaksina në vendet e pasura dhe nuk po fillojmë në vendet e varfra. Ne nuk po flasim për miliarda doza menjëherë, ose miliarda e miliarda euro. Bëhet fjalë për shpërndarjen shumë më të shpejtë të 4-5 përqind të dozave që kemi,” tha ndër të tjera Macron. Macron tha se ky çekuilibër mund të nxisë një “luftë ndikimi mbi vaksinat”, kur në të vërtet lufta duhet të jetë për shëndetin publik. Edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB Antonio Guteres kritikoi vendet e zhvilluara për "ruajtjen" e tepruar të vaksinave dhe u bëri thirrje atyre vendeve t'i shpërndajnë ato në pjesën tjetër të botës, duke shtuar se kjo është mënyra e vetme për të çrrënjosur epideminë e koronavirusit. “Unë mendoj se sistemi shumë i padrejtë i shpërndarjes së vaksinave në të gjithë botën është shumë shqetësues,” tha Guteres në një intervistë televizive. Guteres tha se është në interesin e të gjithëve të sigurojnë që të gjithë dhe kudo të vaksinohen sa më shpejt dhe në mënyrë të drejtë të mundshme dhe shtoi se vaksinat konsiderohen si një “e mirë publike globale”. Kreu i OKB kritikoi vendet e pasura për “ruajtjen” e vaksinave, përtej nevojave. “Ne u bëjmë thirrje vendeve të zhvilluara të ndajnë disa nga vaksinat që blenë,” tha sekretari i përgjithshëm i OKB, duke shtuar se shumë vende kishin siguruar më shumë vaksina sesa kishin nevojë. I pyetur në lidhje me miratimin e mundshëm të një pasaporte vaksinimi, Guterres tha se para çdo vendimi, “duhet të mbahet një diskutim serioz për të siguruar drejtësinë e masës. “Gjëja më e keqe do të ishte që disa vende të kishin (një pasaportë) dhe të tjerët jo. “Do të ishte shkatërrimtare nëse do të thoshte që njerëzit do të kishin mundësinë të lëviznin në botën e zhvilluar, por jo në botën në zhvillim,” paralajmëroi Guteres.

 

Tags