Biden nënshkruan ligjin kundër urrejtjes ndaj qytetarëve aziatikë
https://parstoday.ir/sq/news/world-i108606-biden_nënshkruan_ligjin_kundër_urrejtjes_ndaj_qytetarëve_aziatikë
Duke e quajtur atë një shembull të rrallë bashkëkohor të bashkëpunimit dypartiak në Uashington, presidenti amerikan Joe Biden nënshkroi të enjten ligjin që synon të luftojë krimet e urrejtjes kundër aziatikëve, të cilat janë përshkallëzuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë pandemisë së koronavirusit.
(last modified 2025-11-16T09:23:51+00:00 )
May 21, 2021 15:02 Europe/Tirane
  • Biden nënshkruan ligjin kundër urrejtjes ndaj qytetarëve aziatikë

Duke e quajtur atë një shembull të rrallë bashkëkohor të bashkëpunimit dypartiak në Uashington, presidenti amerikan Joe Biden nënshkroi të enjten ligjin që synon të luftojë krimet e urrejtjes kundër aziatikëve, të cilat janë përshkallëzuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë pandemisë së koronavirusit.

Urrejtja dhe racizmi janë “helmi i shëmtuar që prej kohësh ka rënduar dhe munduar vendin tonë”, tha presidenti amerikan para nënshkrimit të ligjit në  Shtëpinë e Bardhë.

Ligji krijon një pozicion të ri në Departamentin Amerikan të Drejtësisë për të shpejtuar shqyrtimin e krimeve të urrejtjes që lidhen me COVID-19 dhe për të siguruar mbështetje për agjencitë lokale të zbatimit të ligjit për t’iu përgjigjur këtij lloji të dhunës. Ai gjithashtu ka për qëllim të përmirësojë mbledhjen e të dhënave për krimet e urrejtjes dhe të krijojë linja telefonike dhe mundësi për raportime në internet të akteve të tilla.

“Ky ligj i ri do të ndihmojë në shpejtimin e reagimit tonë ndaj krimeve të urrejtjes dhe do të sigurojë burime për forcat e zbatimit të ligjit për të përmirësuar raportimin e krimeve të urrejtjes”, tha prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Merrick Garland në një deklaratë. “Ligji do të ndihmojë forcat e zbatimit të ligjit në përqendrimin e përpjekjeve të tyre, të cilat do të ndihmojnë për të parandaluar këto krime të rënda dhe për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive krimeve, kur ato ndodhin.”