Macron pranon rolin e Francës në gjenocidin e Ruandës
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, pranoi rolin e vendit të tij në gjenocidin e vitit 1994 në Ruandë.
Pas tre dekadash të tensioneve diplomatike, Macron shkoi për vizitë në Ruandë, që po vlerësohet të jetë më shumë simbolike. Ai bëri homazh në Memorialin e Gjenocidit në Kigali, ku ishin vrarë rreth 800.000 njerëz të etnisë tutsi. “Duke qëndruar këtu, me përulësi dhe respekt, përkrah jush, unë njoh përgjegjësitë tona”, tha Macron gjatë fjalimit. Fjalimi i tij nuk përmbante një falje formale, por ai tha se vetëm ata që kishin mbijetuar tmerret “ndoshta mund të dhurojnë faljen”. Presidenti i Ruandës, Paul Kagame, përshëndeti fjalimin e Macronit. “Fjalët e tij ishin diçka më e vlefshme se falja. Ato ishin e vërteta”, tha Kagame. Macron është udhëheqësi i parë francez që nga viti 2010 që viziton kombin e Afrikës Lindore, i cili ka akuzuar prej kohësh Francën për bashkëpunim në vrasjet. Macron tha se Franca “nuk ishte bashkëpunëtore” në gjenocid. Gjenocidi në Ruandë filloi midis prillit dhe korrikut të vitit 1994 pasi presidenti i Ruandës, Hutu Juvenal Habyarimana, me të cilin Parisi kishte kultivuar lidhje të ngushta, u vra kur avioni i tij u rrëzua mbi Kigali më 6 Prill. Brenda disa orësh milicia ekstremiste hutu filloi të vriste pjesëtarët e pakicës tutsi dhe disa hutu të moderuar. Franca kishte mbështetur politikisht dhe në aspektin ushtarak Kigalin gjatë një lufte civile që i parapriu gjenocidit. Franca, është akuzuar prej kohësh për injorimin e rreziqeve të paraqitura nga ekstremistët Hutu.