Rusia dhe Kina urojnë Presidentin sirian
Rusia dhe Kina kanë uruar veçmas Presidentin Sirian Bashar Asad për arritjen e një fitore të madhe dhe fitimin e mandatit të tij të katërt shtatë-vjeçar në zgjedhjet presidenciale të 26 majit 2021.
Në një deklaratë të Premten, Ministria e Jashtme Ruse përshëndeti fitoren "vendimtare" të Asadit dhe tha se Moska i konsideron zgjedhjet presidenciale të Sirisë si një "hap të rëndësishëm" drejt forcimit të stabilitetit në vendin e shkatërruar nga lufta. "Një fitore vendimtare u arrit nga kreu i shtetit në detyrë. Ne i shohim zgjedhjet si një çështje sovrane të Republikës Arabe Siriane dhe një hap të rëndësishëm drejt forcimit të stabilitetit të saj të brendshëm," shtoi ministria. Ministria e Jashtme Ruse tha se deklaratat e vendeve perëndimore që vënë në pikëpyetje vlefshmërinë e zgjedhjeve madje edhe para se të mbaheshin, ishin "një element i presionit të hapur politik ndaj Damaskut dhe një përpjekje tjetër për të ndërhyrë në punët e brendshme të Sirisë me qëllim destabilizimin e saj". "Askush nuk ka të drejtë t'u diktojë Sirianëve kur dhe në çfarë kushtesh ata duhet të zgjedhin kreun e tyre të shtetit", theksoi Ministria e Jashtme Ruse. Në një mesazh të premten për Asadin botuar nga Kremlini, Presidenti rus Vladimir Putin përgëzoi homologun e tij sirian për rizgjedhjen e tij që konfirmoi "autoritetin e tij të lartë politik" në Sirinë e goditur nga lufta. "Rezultatet e votimit konfirmuan plotësisht autoritetin tuaj të lartë politik dhe besimin e bashkëqytetarëve tuaj në kursin e marrë nën udhëheqjen tuaj për të stabilizuar situatën në Siri sa më shpejt të jetë e mundur," tha Putini. Ndërkohë, Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Zhao Lijian tha se Pekini e përgëzoi Asadin për rizgjedhjen e tij dhe mbështet sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Sirisë. "Kina mbështet vendosmërisht përpjekjet e Sirisë në ruajtjen e sovranitetit të saj kombëtar, pavarësisë dhe integritetit territorial dhe është e gatshme të punojë me Sirinë për të arritur progres të ri në bashkëpunimin tonë miqësor," shtoi ai.