Thirrje grupit G7: Shpërndaji vaksinat
Miliona vaksina kundër coronavirusit mund të humbasin, nëse vendet e pasura dërgojnë përnjëherë sasi të mëdha dozash në vendet e varfra, paralajmëroi Fondacioni për Fëmijë i Kombeve të Bashkuara, UNICEF.
Sipas tij, furnizimi duhet të jetë i vazhdueshëm gjatë gjithë vitit, sepse vendet e varfra nuk kanë burime për t’i përdorur të gjitha menjëherë. Lily Caprani, përgjegjëse për vaksinat në UNICEF, tha se vendet me të ardhura të ulëta kanë nevojë për furnizim të qëndrueshëm. Nëse vaksinat kursehen deri në Krishtlindje, vendet nuk do të jenë në gjendje t’i absorbojnë ato, tha Caprani. “Mund të shohim miliona doza të vaksinave që nuk përdoren dhe skadojnë. Kjo do të ishte një tragjedi”, tha ajo. Në letrën dërguar G7-ës, thuhet se UNICEF-i po shpërndan vaksina në vendet e varfra, porse organizatës i mungojnë rreth 190 milionë doza. Sipas letrës, vendet e G7-ës së shpejti do të kenë mjaftueshëm për të dhuruar 20% të dozave të tyre. “Virusi është duke u përhapur ende në shumë vende dhe duke prodhuar variante të reja, me potencialin për të na kthyer të gjithëve atje ku kemi filluar”, thuhet në letrën dërguar grupit G7.